Ndërlidhjet

Twitter i ka suspenduar profilet e lidhura me përzierjen e dyshuar ruse


Ilustrim
Ilustrim

Kompania Twitter i ka pezulluar afro 200 profile të lidhura me Rusinë dhe i ka gjetur afro 2 mijë shpallje të postuara nga grupi televiziv RT i Rusisë, në hetimet e veta për përpjekje të mundshme për ta shfrytëzuar këtë platformë të popullarizuar sociale, për të ushtruar ndikim në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016.

Për këto hetime, zyrtarët ekzekutivë të rrjetit Twitter, mbrëmë i kanë njoftuar panelet e Komitetit të Inteligjencës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Kompania më vonë ka thënë se i ka identifikuar dhe larguar 22 profile të ndërlidhura me afro 450 faqe të rrejshme të rrjetit Facebook, që ishin identifikuar nga vetë Facebook, se ishin të lidhura me përzierjet e dyshuara ruse në zgjedhje.

Prej afro 450 llogarive, që Facebooku aktualisht i ka ndarë në kuadër të rishqyrtimit të vet, ne kemi konkluduar se 22 prej tyre kishin llogari korresponduese në Twitter”, thuhet në një blog të kompanisë Twitter.

Llogaritë e identifikuara në Twitter janë suspenduar në pjesën më të madhe, për shkak të shkeljes së rregullave të Twitterit, kundër vërshimit të Internetit me shumë kopje të një mesazhi ose lidhjeve të njejta.

Janë zbuluar edhe 179 llogari të tjera të dyshuara, “të ndërlidhura me llogaritë” e rrejshme ruse në Facebook. Shumica e këtyre llogarive të dyshuara në Twitter, janë suspenduar për shkak të shkeljeve të rregullave të kompanisë.

Twitter tha se kompania mediale ruse, Russia Today (RT), transmetues i finacuar nga shteti, e që është e afërt me Kremlinin, i ka shpenzuar 274 mijë dollarë në shpalljet në Twitter dhe i ka promovuar 1,823 postime, që kishin synim tregun amerikan gjatë vitit zgjedhor.

Këto shpallje kanë arritur në vlerën prej 100 mijë dollarëve, që rrjeti Facebook tha se i ka zbuluar se kanë lidhje me operacionin propagandues rus, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016. Pas këtij zbulimi, legjislatorët e Shteteve të Bashkuara kanë bërë thirrje për më tepër rregullim të shpalljeve të tilla në rrjetet sociale.

Kryeredaktorja e transmetuesit, Russia Today (RT), Margarita Simonyan, e ka mbrojtur blerjen e shpalljeve në Twitter, duke synuar që ta distancoj RT-në nga sugjerimet se ndoshta është e lidhur me fushatën e mbështetur nga shteti në mediat sociale, që ka për qëllim manipulimin e opinionit publik në perëndim.

Zonja Simonyan tha se blerja e shpalljeve nga ana e RT-së në Twitter ishte praktikë standarde komerciale, që ishte paraqitur në mënyrë të rrejshme si përzierje ruse në punët e Shteteve të Bashkuara, ka raportuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA.

Tash ne duhet të shkojmë edhe më thellë dhe të pranojmë sinqerisht se ne kemi shpenzuar për shpallje në aeroporte, taksi, në Internet, në television dhe radio”, është shprehur Simonyan në mënyrë sarkastike.

“Shpalljet tona komerciale janë transmetuar bile edhe në CNN”, tha ajo.
Por, ligjvënësit amerikanë thanë se zbulimet e rrjetit Twitter dhe hapat që i ka ndërmarrë për ta shqyrtuar këtë problem potencial me përzierjen e dyshuar ruse, nuk kanë shkuar shumë larg.

Nuk mendoj se ne kemi arritur diçka më tepër se një gërvishjeje të sipërfaqes në kuptimin e asaj që ne e dimë se si rusët ndoshta e kanë shfrytëzuar platformën e Twitterit”, tha Adam Schiff, anëtar demokrat i Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara.

Anëtari tjetër demokrat në Komitetin e Inteligjencës së Senatit, Mark Warner, tha se “sinqerisht, nuk mendoj se ata e kuptojnë se sa serioz është ky problem”.

Ligjvënësit e të dy partive kanë thënë se ata kanë dyshime se rrjetet sociale kanë luajtur rol të madh në atë që ata e përshkruajnë si përpjekje e Moskës për ta përhapur propagandën, për të shkaktuar grindje në Shtetet e Bashkuara dhe për ta ndihmuar Donald Trumpin, që të zgjedhej president amerikan.

Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.

Senatori Werner i udhëheq përpjekjet në Senat për paraqitjen e legjislacionit që kërkon nga platformat në Internet të zbulojnë se kush blenë shpallje politike në Internet, që do t’i sillte ata në linjë me rregullat qeveritare për shpallje në radio ose televizion.

Twitter tha se dëshiron t’i forcoj rregullat për zbulim të shpalljeve politike, siç ka vepurar aktualisht rrjeti Facebook.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG