Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Rusia: Kërcënim për kufizim të medieve amerikane, përfshirë REL-in


Në zyrat e 'Russia Today'

Kremlini përsëri u ka tërhequr vërejtjen operacioneve të medieve të Shteteve të Bashkuara në Rusi, se mund të kufizohen në përgjigje të presionit të raportuar kundër kompanive mediale të financuara nga qeveria ruse në Shtetet e Bashkuara.

“Qartazi, në rast të vazhdimit të presionit, vazhdimit të shkeljes të së drejtave të medieve tona për të punuar të papenguara, unë nuk e përjashtoj se do të ndërmerren aksione në harmoni me parimin e reciprocitetit”, tha mbrëmë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Këto janë komentet e fundit në serinë e kërcënimeve dhe ankesave nga zyrtarët rusë.

Agjencitë e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara i kanë analizuar operacionet e së paku dy kompanive mediale ruse, kanalin satelitor televiziv RT dhe faqen e lajmeve në Internet, Sputnik.

Kompania RT, që është e financuar nga qeveria ruse, ishte akuzuar në raportin e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se ishte njëra nga mënyrat kryesore me të cilat Kremlini synonte të ndikonte në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Prej atëherë, janë shtuar thirrjet në Uashington, që RT dhe Sputnik të detyrohen të regjistrohen sipas legjislacionit të vjetër 79 vjeçar, me të cilin fillimisht synohej kufizimi i propagandës naziste.

Gjatë periudhës sovjetike, disa media në gjuhën ruse, përfshirë gazetën Pravda, dhe agjencinë e lajmeve TASS, ishin regjistruar si agjentë të jashtëm.

Gjatë javëve të fundit, hetuesit amerikanë i kanë intervistuar ish-punëtorët e dy kompanive mediale ruse dhe disa kontraktorë të tyre biznesor, në kuadër të hetimeve për vendimmarrjen editoriale dhe menaxhmentin në RT dhe Sputnik.

Muajin e kaluar, kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, tha se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë urdhëruar që ky kanal televiziv të regjistrohet sipas ligjit për agjentë të jashtëm, i njohur si FARA.

Departamenti amerikan i drejtësisë, që e mbikëqyrë legjislacionin FARA, disa herë ka refuzuar ta konfirmoj apo përgënjeshtroj se e ka paraqitur një urdhër të tillë.

Zëdhënësja e Ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se legjislacioni rus lejon që rregullatorët mund të imponojnë kufizime sikur në operacionet e medieve private ashtu edhe në ato shtetërore.

Pas Zakharovës, edhe Peskov ka bërë komente para gazetarëve në Moskë.

“Ne konsiderojmë se kjo është brengosëse në parimin se mediet tona masive nuk lejohen të punojnë normalisht”, tha Peskov, dhe shtoi se “kjo është e papranueshme dhe paraqet shkelje të lirisë së të shprehurit”.

Simonyan, po ashtu, i ka thënë Komitetit legjslativ rus se punëtorët po largohen nga operacionet në Shtetet e Bashkuara për shkak të frikës nga presioni zyrtar.

Andrei Klimov, anëtar i Dhomës së Epërme të Parlamentit të Rusisë, tha se ai dhe ligjvënësit e tjerë kanë kërkuar nga agjencitë qeveritare, që nuk i kanë treguar me emër, që të ndërmarrin “përgjigje simetrike” për presionin e raportuar kundër RT-së.

Në Rusi, ekzistojnë afro 40 operacione të medieve masive amerikane. Sipas mendimit tim, si ekspert, duhet të ketë diskutim, në rend të parë, për strukturat e tilla, siç është Radio Svoboda, që transmeton në Rusi”, është cituar Klimov se ka thënë për faqen e lajmeve në Internet, Fontanka.ru.

Radio Svoboda është Shërbimi në gjuhën ruse i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria.

Në një dëgjim në Komisionin e Helsinkit të Shteteve të Bashkuara, agjenci e qeverisë amerikane e ngarkuar me monitorimin e të drejtave të njeriut jashtë Amerikës, presidenti i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Thomas Kent, tha se kjo kompani po ballafaqohet me “kufizime të rënda” gjatë transmetimit radioteleviziv në Rusi.

“Kjo po ndodhë përkundër faktit se mediat ruse transmetojnë lirisht në Shtetet e Bashkuara. Ende, miliona rusë e ndjekin përmbajtjen tonë. Qartazi, autoritetet e pranojnë ndikimin tonë, pasi ata po krijojnë pengesa për punën tonë”.

“Megjithatë, përkundër presionit, ne vazhdojmë të operojmë...me byronë tonë në Moskë dhe me korrespondentët në gjithë Rusinë. Edhe më parë kemi kaluar nëpër kohë të vështira. Ne besojmë se do të qëndrojmë edhe në problemet e fundit në raportet amerikano-ruse”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Thomas Kent.

Javën e kaluar, rregullatori i medieve në Rusi, Roskomnadzor, e ka akuzuar rrjetin amerikan CNN, për shkelje të ligjit për media në Rusi dhe i ka ftuar zyrtarët e këtij rrjeti për bisedime.

Në kumtesën e tij, Roskomnadzor nuk ka shpjeguar se çfarë shkeljeje të dyshuar i ka bërë rrjeti CNN ligjit rus, por vetëm ka theksuar se do ta vazhdojë “monitorimin sistematik” të medieve të jashtme të regjistruara në Rusi.

Roskomnadzor tha se i ka dhënë rrjetit CNN afat, që deri më 11 të këtij muaji t’i përmirësojë shkeljet.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG