Ndërlidhjet

Hetimi i çështjes ruse: Manafort dhe Gates deklarohen të pafajshëm


Paul Manafort (djathtas) and Rick Gates.

Paul Manafort, ish-udhëheqës i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe bashkëpunëtori i tij, Rick Gates, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara në marrëveshjet e tyre me Ukrainën.

Manafort dhe Gates janë paraqitur të hënën në gjykatën federale në Uashington, pasi gjatë ditës u janë dorëzuar vetë autoriteteve.

Manafort është liruar me kusht prej 10 milionë dollarësh dhe është dërguar në arrest shtëpiak, ndërsa Gates me kusht prej 5 milionë dollarësh.

Juria federale i ngarkoi ata me 12 akuza, përfshirë: konspiracion kundër SHBA-së, konspiracion për shpëlarje të parave, të vepruarit si agjentë të huaj të paregjistruar, të bërit deklarata të rreme e të tjera.

Avokati i Manafortit, Kevin Downing, tha se akuzat kundër klientit të tij janë "qesharake" dhe shtoi se nuk ka prova për bashkëpunim me rusët.

Dokumentet e gjykatës po ashtu kanë treguar se George Papadopoulos, ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së Trumpit, i cili është arrestuar në korrik, është deklaruar fajtor për mashtrim të FBI-së në lidhje me kontaktet e tij me Rusinë.

Akuzat janë të parat që rrjedhin nga hetimet që po bën këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016 dhe për bashkëpunimin e mundshëm të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë.

“Nuk ka pasur bashkëpunim (v.j. me rusët)”, ka shkruar Trump në llogarinë e tij në Twitter.

“Njoftimet e sotme nuk kanë të bëjnë asgjë me presidentin, nuk kanë të bëjnë asgjë me fushatën e presidentit apo aktivitetin e fushatës”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Akuzat kundër Manafortit dhe Gatesit thonë se “ata kanë gjeneruar dhjetëra-miliona dollarë në të ardhura” nga puna për Viktor Yanukovychin, politikan pro-rus, i cili ka qenë president i Ukrainës nga viti 2010 deri më 2014, pastaj për Qeverinë e Ukrainës, Partinë e Rajoneve të Yanukovychit dhe Bllokun Opozitar, partinë pasardhëse të formuar pasi Yanukovych është rrëzuar nga pushteti si pasojë e protestave pro-evropiane dhe ka ikur në Rusi.

Aktakuza thotë se “për të fshehur pagesat në Ukrainë” nga autoritetet amerikane, Manafort dhe Gates “kanë shpëlarë para përmes burimeve në SHBA dhe korporatave të huaja, partneriteteve dhe llogarive bankare” nga viti 2006 deri së paku në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, ata po ashtu e kanë fshehur punën dhe të ardhurat e tyre si agjentë të partive politike të Ukrainës.

Mueller, ish-drejtor i FBI-së, është emëruar këshilltar i posaçëm në muajin maj, për të udhëhequr hetimet nga Departamenti i Shtetit, të cilat po zhvillohen paralelisht me hetimet e disa komiteteve të Kongresit.

Robert Mueller
Robert Mueller

Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë konstatuar në muajin janar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar një “fushatë ndikimi” në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, me qëllim që të minonte besimin në demokracinë amerikane, të prishte reputacionin e rivales së Trumpit, Hillary Clinton, dhe të ndihmonte Trumpin.

Rusia e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhje, pavarësisht provave.

Trump, i cili i ka fituar zgjedhjet e 8 nëntorit, ka thënë vazhdimisht se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim midis ndihmësve të tij dhe Moskës.

​Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG