Ndërlidhjet

Tetë të vrarë nga "sulmi terrorist" në Nju Jork

  • RFE /RL

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, tha se tetë njerëz janë vrarë kur një kamion ka goditur kalimtarët në një zonë çiklistësh në lagjen Menhatën.

Policia tha më herët se disa njerëz janë plagosur në incidentin e së martës, të cilin de Blasio e quajti “akt të frikshëm terrorist”.

“E dimë se ky veprim ka pasur qëllim të thyejë shpirtin tonë. Por, e dimë po ashtu se njujorkezët janë të fortë dhe ne nuk do të thyhemi kurrë nga një akt i dhunës”, tha de Blasio.

Njëmbëdhjetë njerëz kanë plagë serioze, por jo kërcënuese për jetën, thanë shërbimet emergjente.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, e përshkroi incidentin si sulm të një “ujku të vetmuar” dhe tha se nuk ka prova që sugjerojnë se ai mund të jetë pjesë e “një komploti më të gjerë ose skeme më të gjerë”.

Departamenti i Policisë në Nju Jork tha se kamioni ka goditur çiklistët dhe kalimtarët, përpara se të godiste një automjet tjetër, dhe se më pas shoferi ka dalë jashtë me “kopje armësh”.

I dyshuari është qëlluar nga policia dhe është dërguar në paraburgim.

“Në Nju Jork, duket si një sulm tjetër nga një person shumë i sëmurë dhe i çrregulluar", tha presidenti Donald Trump në Twitter.​

Media amerikane e ka identifikuar të dyshuarin si Sayfullo Saipov, imigrant i cili ka shkuar në SHBA në vitin 2010.​

Raportohet se Saipov, 27 vjeç, me prejardhje nga Uzbekistani, gjatë sulmit ka thirrur “Allahu Akbar” (Zoti është i madh).​

Në një tjetër postim në Twitter, presidenti Trump shkroi:

“Nuk duhet t’i lejojmë ISIS-it të kthehet ose të hyjë në vendin tonë, pasi është mposhtur në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. Mjaft”.

Sulmi ka ndodhur vetëm disa blloqe larg ndërtesës Ground Zero, vendit që të gjithë njujorkezëve u kujton sulmet e 11 shtatorit, 2001.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG