Ndërlidhjet

Rusi: U miratuan kufizimet për mediat e jashtme, reagon RFE/RL


Duma Shtetërore e Rusisël gjatë votimit të sotëm
Duma Shtetërore e Rusisël gjatë votimit të sotëm

Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë në mënyrë unanime e ka miratuar legjislacionin me të cilin autorizohet qeveria që kompanitë mediale, të cilat marrin fonde nga jashtë, të cilësohen si “agjentë të jashtëm”.

Amandamentet në Dumën Shtetërore të Rusisë janë miratuar sot në leximin e tretë final.

Organizata Amnesty International tha se ky legjislacion paraqet “goditje serioze” për lirinë e mediave në Rusi.

Radio Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL), njëra prej kompanive për të cilën zyrtarët rusë kanë thënë se mund të kategorizohet si agjent i jashtëm nën legjislacionin e ri, tha se aksioni i Dumës Ruse nuk duhet të shikohet si "përgjigje reciproke".

“Është jopërkatëse që votimi i sotëm të shihet si pëgjigje reciproke për kërkesat me të cilat ballafaqohen disa media të financuara nga Rusia në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, dhe specifikohet se mediat ruse, “RT dhe Sputnik veprojnë lirisht në Shtetet e Bashkuara, derisa RFE/RL i ka humbur bashkëpunëtorët e vet për transmetim, për shkak të presioneve administrative”.

Mëtutje, në deklaratën e saj të sotme, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, thotë se “nuk do të spekulojë se çfarë hapash do të mund t’i ndërmerrte Rusia pas votimit të sotëm apo në ç’mënyrë kjo masë do të mund të zbatohej ndaj nesh”.

Në deklaratë, po ashtu, theksohet se “reporterët e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria u janë nënshtruar keqtrajtimeve dhe sulmeve fizike në Rusi, derisa reporterët e RT-së nuk ballafaqohen me kërcënime të tilla në SHBA”.

“Puna e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria është që të realizojë gazetari objektive dhe të vërtetë për audiencën tonë në gjuhën ruse në gjithë botën, përfshirë Rusinë”, thuhet në deklaratë, e cila përfundon me konstatimin se presim “që ta vazhdojmë punën tonë gazetareske”.

XS
SM
MD
LG