Ndërlidhjet

Konfirmohen hetimet rreth akuzave për korrupsion në EULEX


Ilustrim
Ilustrim

Bashkimi Evropian ka konfirmuar hetimet në lidhje me akuzat për korrupsion në misionin e EULEX-it. Hetimet po zhvillohen ndaj shefit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje. Po ashtu, BE-ja po heton edhe në lidhje me akuzat që Simmons i ka bërë ndaj EULEX-it, për korrupsion brenda këtij misioni.

Misioni i EULEX-it përmes një komunikate ka sqaruar se përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij.

“Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

“Të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga Simmons, janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile”, thekson EULEX-i.

Nga Simmons, vijon komunikata, është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, të cilat ai nuk i ka prezantuar ende.

Në anën tjetër, Maja Kociançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka thënë se BE-ja, si edhe misioni i EULEX-it, kanë zero tolerancë për akuzat dhe për sjellje të pahijshme të të gjithë anëtarëve të misionit.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat janë hetuar dhe raportuar në bordin disiplinor.

“Akuzat janë hetuar nga një gjyqtar i pavarur dhe disa nga të gjeturat janë pranuar në bordin disiplinor. Dua të theksoj se të gjitha procedurat e parapara në kod janë ndjekur me përpikëri”, ka thënë Kocijançiq.

“Nuk mund të flas enkas për ndonjë akuzë dhe për hetimet që po vazhdojnë”, ka thënë ajo.

Përderisa EULEX-i po e heton gjykatësin tashmë të larguar, edhe Simmons ka akuzuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë – EULEX, se nuk e ka luftuar korrupsionin, duke e arsyetuar këtë mosveprim me ‘ruajtjen e stabilitetit” në Kosovë, si një shtet ende i brishtë.

Dorëheqja e Malcom Simmons, paraqet rastin e dytë pas të cilit hapet çështja e korrupsionit në EULEX. Paraprakisht, prokurorja nga ky mision, Maria Bamieh, i kishte akuzuar kolegët e saj për marrje ryshfeti, çka i kushtoi asaj me shkarkim.

Misioni i EULEX-it, është vendosur në Kosovë që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ky mision, u vendos nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar në zbatimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

Viteve të fundit, misioni i EULEX-it është transformuar duke marrë më shumë karakterin e një misioni këshillëdhënës, monitorues dhe mentorues për institucionet e Kosovës në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG