Ndërlidhjet

Misioni i BE-së vlerëson pozitivisht organizimin e balotazhit


Mbyllja e vendvotimeve

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka konstatuar se nuk ka vërejtur parregullsi të mëdha gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtura më 19 nëntor.

Shefi i këtij misioni, Alojz Peterle, i cili prezantoi sot gjetjet preliminare, tha se “këto ishin zgjedhje me konkurrencë shumë të fortë”.

Ai ka njoftuar se në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit e këtij misioni kanë vizituar 292 vendvotime, ku “hapja dhe votimi ishin kryesisht të qeta dhe u zhvilluan në mënyrë të rregullt”.

“Numërimi kryesisht u zhvillua në mënyrë transparente dhe efikase. Megjithatë, disa aspekte të rëndësishme të procesit të votimit dhe numërimit duhet të adresohen në mënyrë që të përmirësohet edhe më tej procesi në ditën e zgjedhjeve”, ka njoftuar ky mision.

Peterle po ashtu ka thënë se edhe fushata ka kaluar në një atmosferë kryesisht të qetë.

Megjithatë, sipas këtij misioni, atmosfera në komunat me shumicë serbe, në Partesh dhe Kllokot ishte e polarizuar, por nuk ndodhi ndonjë incident i madh. Tensionim i situatës ishte vërejtur edhe në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kishte më shumë se 70 vëzhgues në tërë Kosovën në ditën e zgjedhjeve. Ata vinin nga 25 shtete anëtare të Bashkimit Evropian si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra.

Ky mision do të mbetet në Kosovë për të përcjell procesin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe zgjidhjen e çdo parashtrese dhe ankese, deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare.

XS
SM
MD
LG