Ndërlidhjet

Mbi 230 të vrarë nga sulmi në një xhami në Egjipt


Qindra të vrarë në një xhami në Egjipt
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Qindra të vrarë në një xhami në Egjipt

Së paku 235 njerëz janë vrarë nga një sulm me bombë dhe armë zjarri në një xhami në rajonin Sinai të Egjiptit.

Mediat lokale thanë se sulmi ka ndodhur në qytetin Bir al-Abd dhe se së paku 120 persona të tjerë janë plagosur.

Mësohet se sulmuesit kanë shpërthyer eksplozivë, përpara se të qëllonin besimtarët brenda xhamisë, që falnin Xhumanë.

Qeveria ka shpallur tre ditë zie. Televizioni shtetëror raportoi se presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, ka thirrur takim urgjent të sigurisë, menjëherë pas sulmit.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë viktima të mbuluara me gjak brenda xhamisë.

“Ata (v.j. sulmuesit) kanë qëlluar njerëz edhe teksa largoheshin nga xhamia, kanë qëlluar edhe auto-ambulancat”, tha një dëshmitar për agjencinë Reuters.

Banorët lokalë citohet të kenë thënë se në xhaminë e sulmuar zakonisht mblidhen ndjekës të Sufizmit apo misticizmit islamik.

Disa grupe xhihadiste, përfshirë të ashtuquajturin Shtet Islamik, i shohin ata si të pafe.

Militantët islamikë janë çuar në kryengritje në Gadishullin Sinai që disa vjet.

Ata i kanë intensifikuar sulmet prejse ushtria e Egjiptit ka rrëzuar nga pushteti presidentin islamik, Mohammed Morsi, pas protestave masive antiqeveritare, në korrik të vitit 2013.

Qindra policë, ushtarë dhe civilë janë vrarë që atëherë, kryesisht në sulme të kryera nga Grupi i Provincës Sinai, që është i lidhur me Shtetin Islamik.

Grupi i Provincës Sinai ka kryer po ashtu sulme vdekjeprurëse kundër pakicës së krishterë kopte të Egjiptit, gjetkë në këtë vend.

Ai po ashtu ka thënë se ka sulmuar një avion rus, që transportonte turistë në Sinai, në vitin 2015, duke vrarë të 224 njerëzit në bord.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sulmi i së premtes në Sinai është “i tmerrshëm dhe frikacak”.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG