Ndërlidhjet

Papa: Mianmari duhet të respektojë “secilin grup etnik”


Papa Françesku
Papa Françesku

Papa Françesku tha se e ardhmja e Mianmarit varet nga respektimi i të drejtave të “secilit grup etnik”.

Deklarata u intepretua si mbështetje e tërthortë për myslimanët Rohingya, të cilët kanë qenë subjekt i diskriminimit shtetëror për dekada dhe i shtypjes së dhunshme ushtarake në muajt e fundit.

Papa nuk e përmendi represionin ose fjalën “Rohingya” në fjalimin e tij në kryeqytetin e Mianmarit, Najpidau, por tha se njerëzit e Mianmarit kanë vuajtur “dhe vazhdojnë të vuajnë nga konflikti civil dhe armiqësitë”.

Papa tha se secili që e quan Mianmarin shtëpi, meriton t’i ketë të garantuara të drejtat themelore.

Kreu i Kishës Katolike tha se e ardhmja e Mianmarit duhet të bazohet në “respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të secilit anëtar të shoqërisë”.

“Dallimet fetare nuk duhet të jenë burim i ndarjes dhe mosbesimit, por forcë për unitet, falje, tolerancë dhe ndërtim të shtetit”, tha Papa.

Ai e mbajti fjalimin pas takimit me udhëheqësen civile të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, dhe zyrtarë të tjerë.

Është pritur që Papa të ngrejë çështjen e refugjatëve Rohingya në adresimin e tij, por ai nuk e ka përdorur fjalën “Rohingya” në publik.

"Rohingya" është një term nxitës në Mianmarin me shumicë budiste, ku myslimanëve u mohohet shtetësia dhe quhen migrantë ta paligjshëm “bengalezë”.

Mbi 600,000 Rohingya kanë ikur nga Mianmari në Bangladesh prejse ka nisur vala e fundit e dhunës në muajin gusht.

Represioni i ushtrisë ka nisur pas disa sulmeve të kryengritësve Rohingya në shtetin Rakhine dhe Qeveria e Mianmarit i hedh poshtë akuzat se ushtria sulmon civilët.

Suu Kyi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, është përballur me kritika të fuqishme nga grupet e të drejtave të njeriut për indiferencën e saj ndaj gjendjes së pakicës myslimane.

XS
SM
MD
LG