Ndërlidhjet

Kremlini: SHBA po tenton t’i vë bizneset ruse kundër Putinit


Presidenti rus, Vladimir Putin
Presidenti rus, Vladimir Putin

Kremlini ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po tentojnë që të vënë elitën e biznesit rus kundër presidentit Vladimir Putin, përpara zgjedhjeve presidenciale, të planifikuar të mbahen vitin e ardhshëm.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se ai ka pranuar pyetje të shkruara nga një agjenci e lajmeve ndërkombëtare, por nuk ka treguar emrin e kësaj agjencie.

Ai ka thënë se njëra nga pyetjet ishte “a pajtoheni me mendimin se autoritetet amerikane janë duke përdorur sanksionet (kundër Rusisë), në mënyrë që të vënë kundër presidentit rus mbështetësit e pasur?”.

Peskov ka thënë se kësaj pyetje i është përgjigjur me “jam i sigurt se pikërisht kështu qëndron puna”.

Një pyetje tjetër, sipas Peskovit ishte se “a mendoni se përpjekjet e tilla të SHBA-së, ndërlidhen me zgjedhjet presidenciale?”.

“Ne jemi të bindur për këtë”, ka thënë Peskov në përgjigjen e tij për këtë çështje.

Presidenti rus, Vladimir Putin ende zyrtarisht nuk ka njoftuar se a do të garojë për mandatin e katërt presidencial.

Ndërkaq, kryeministri rus, Dmitry Medvedev ka thënë sot se nëse Putini vendos të marrë pjesë në zgjedhje, partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, do ta mbështesë atë.

XS
SM
MD
LG