Ndërlidhjet

Gjykata Supreme mbështet urdhrin e Trumpit për ndalim-udhëtimin

  • RFE /RL

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara.

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara vendosi që urdhri i presidentit Donald Trump, për t’iu ndaluar hyrjen në SHBA qytetarëve të gjashtë vendeve me shumicë myslimane, mund të hyjë plotësisht në fuqi.

Me gjashtë vota për dhe dy kundër, gjykata vendosi në favor të kërkesës së administratës Trump për të shfuqizuar vendimet e gjykatave më të ulëta, të cilat e kanë bllokuar pjesërisht ndalesën e udhëtimit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, tha se ky institucion “nuk është i befasuar me vendimin e Gjykatës Supreme, që lejon zbatimin e menjëhershëm të urdhrit të presidentit për kufizimin e udhëtimit nga vendet me rreziqe të larta të terrorizmit”.

Prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Jeff Sessions, tha se vendimi është "një fitore e rëndësishme për sigurinë e popullit amerikan".

Vendimi i Gjykatës Supreme bën që ndalimi i vizave amerikane të hyjë në fuqi për shtetasit nga Irani, Çadi, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni, edhe nëse ata kanë familjarë në SHBA.

Ndalimi i udhëtimit është sfiduar me padi nga shteti amerikan i Havajit dhe Unioni Amerikan i Lirive Civile. Të dyja paditë pretendojnë se ai diskriminon myslimanët, në kundërshtim me Kushtetutën e SHBA-së.

“Paragjykimi anti-mysliman i presidentit Trump nuk është më sekret. Ai e ka konfirmuar këtë vazhdimisht”, tha avokati i Unionit Amerikan të Lirive Civile, Omar Jadwat.

Gjykatat më të ulëta, deri më tash, e kanë kufizuar fushëveprimin e ndalesës së udhëtimit në njerëz që nuk kanë lidhje familjare në SHBA ose marrëdhënie formale me organizata amerikane, të tilla si universitetet.

Tani, këto marrëdhënie nuk do të sigurojnë më që vizitorët të marrin vizë të SHBA-së, edhe pse ndalesa ende lejon që Departamenti amerikan i Drejtësisë të bëjë përjashtime me raste.

Urdhri i Trumpit për ndalim-udhëtimin prek edhe njerëzit nga Koreja e Veriut dhe Venezuela, por gjykatat më të ulëta i kanë lejuar tashmë këto dispozita të hyjnë në fuqi.

Gjykata e Lartë tha se vendimet e gjykatave më të ulëta, që e kanë bllokuar pjesërisht urdhrin e Trumpit, duhet të vihen në pritje, derisa gjykatat e apelit në San Francisko dhe Riçmond të Virxhinas peshojnë sfidat kushtetuese që janë ngritur kundër tij.

Të dyja gjykatat do t’i dëgjojnë argumentet këtë javë.

Gjyqtarët Ruth Bader Ginsburg dhe Sonia Sotomayor, të dy të emëruar nga ish-presidenti Barak Obama, nuk u pajtuan me vendimin e Gjykatës Supreme.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG