Ndërlidhjet

Shkup: Tre deputetëve të VMRO-DPMNE-së u caktohet paraburgimi


Pamje e një pjese të Shkupit
Pamje e një pjese të Shkupit

Gjykata Penale e Shkupit e ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, për tre deputetë të VMRO DPMNE-së, të akuzuar për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të këtij viti.

Deputetët e përbërjes së tashme të Kuvendit të Maqedonisë, që u është marrë imuniteti, Kërste Mukoski, Lupço Arnaudov dhe Sashe Vasilevski, akuzohen nga prokuroria për veprën penale “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Me të njëjtën vepër ngarkohen edhe tre deputetë të tjerë të kësaj partie, Zhaklina Peshevska, Johan Tarçullovski dhe Lupço Dimevski, por gjykata për ta e caktoi masën e sigurisë, arrest shtëpiak.

Gjashtë deputetët e VMRO DPMNE-së, që ishte në pushtet deri në qershor të këtij viti, akuzohen se i kanë ndihmuar protestuesit për të pushtuar Kuvendin e Maqedonisë, gjatë protestave të dhunshme të një grupit të ithtarëve të kësaj partie, ditën e zgjedhjes së kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.

Për këtë vepër, që vlerësohet si më e rënda që nga pavarësia e vendit, janë akuzuan gjithsej 36 persona, disa prej të cilëve janë dërguar në paraburgim javën e kaluar. Në mesin e tyre është edhe ish-ministri i brendshëm, Mitko Çavkov. Ai akuzohet se ditën kritike si drejtor i Byrosë së sigurimit publik, nuk ka dhënë urdhër për intervenimin e policisë në parandalimin e pushtimin të institucionit ligjvënës.

Gjatë pushtimit të Kuvendit shumë deputetë ishin sulmuar fizikisht, ndërsa më së keqi e pësuan Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, aktualisht kryeministër.

Nga VMRO-ja veprimin e kanë quajtur politikë dhe hakmarrje ndaj siç thuhet atyre që e mbrojtën kushtetutën dhe kauzën kombëtare maqedonase.

Dhuna në Kuvend ishte dënuar fuqishëm nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Ambasadat e SHBA-së dhe të BE-së kanë kërkuar hetimin e ngjarjes, duke respektuar standardet e shtetit ligjor, por edhe prezumimin e pafajësisë.

XS
SM
MD
LG