Ndërlidhjet

Rusia i ka kritikuar SHBA-të lidhur me akuzat për luftë të re


Dmitry Peskov
Dmitry Peskov

Rusia i ka kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara për shkak të komenteve të këshilltarit për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster, i cili e ka akuzuar Moskën se po shfrytëzon metoda të shumëfishta të “shkatërrimit dhe dezinformacionit dhe propagandës” për t’i destabilizuar vendet e tjera.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në komentet e sotme, tha po ashtu, se deklaratat e zotit McMaster ishin “ekstremisht dhe absolutisht të gabueshme” dhe se Rusia “nuk vepron për shkatërrim të sofistikuar në Shtetet e Bashkuara”.

Zyrtari i lartë amerikan, H.R. McMaster, tha dje se Rusia dhe Kina po e “shkatërronin rendin dhe stabilitetin ndërkombëtar” dhe “i injorojnë të drejtat për sovranitet dhe sundim të ligjit të fqinjëve të tyre”.

Ai mëtutje ka theksuar se Rusia e ka filluar “luftën e gjeneratës së re”, që shfrytëzon “shkatërrim dhe dezinformim dhe propagandë, me përdorim të mjeteve kibernetike, duke operuar nëpër fusha të shumëfishta, që kanë për qëllim ndarjen e komuniteteve tona brenda vendit tonë dhe për të shkaktuar konflikt kundër njëri-tjetrit dhe për përpjekje për të krijuar kriza të besimit”.

Ai ka aluduar në vlerësimin e zyrtarëve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara se Rusia ka kryer fushatë të orkestruar të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016.

Putin dhe zyrtarët e tjerë rusë i kanë hedhur poshtë akuzat për përzierje në zgjedhje, megjithqë zyrtarët amerikanë thonë se ekziston dëshmi e mjaftueshme.

XS
SM
MD
LG