Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Trump nuk planifikon shkarkimin e këshilltarit Mueller


Këshilltari special, Robert Mueller, i cili po heton supozimet për ndërhyrjen ruse në fushatën presidenciale më 2016 në SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk ka planifikuar ta largojë nga detyra këshilltarin special, Robert Mueller, i cili është duke hetuar supozimet për ndërhyrje ruse në fushatën presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe çfarëdo lidhje tjetër në mes të Rusisë dhe ekipit të Trumpit.

“Jo nuk jam”, ka thënë Trump kur është pyetur nga gazetarët nëse është duke marrë paraysh një gjë të tillë.

Ai nuk ka dhënë detaje tjera.

Trump i ka kritikuar vazhdimisht hetimet e Mueller-it, lidhur me çështjen ruse, duke i cilësuar ato si “gjueti shtrigash”.

Deri më tash katër bashkëpunëtorë të presidentit Trump janë akuzuar apo kanë pranuar fajësinë ndaj akuzave federale, lidhur me këto hetime.

Ish këshilltari për politikë të Jashtme, George Papadopoulos, ka pranuar se ka gënjyer FBI-në dhe se ishte duke bashkëpunuar me hetuesit e Mueller.

Michael Flynn, i cili për pak kohë ka shërbyer si këshilltar për siguri kombëtare në kuadër të udhëheqjes së presidentit Trump, ka pranuar po ashtu fajësinë, se ka gënjyer FBI-në dhe rreth kontakteve të tij me Rusinë.

Ish udhëheqësi i fushatës së presidentit Trump, Paul Manafort dhe bashkëpunëtori i tij biznesor, Rick Gates janë akuzuar gjatë muajit tetor për konspiracion dhe se kanë gënjyer agjentët federalë.

Të dy i kanë hedhur poshtë këto akuza.

XS
SM
MD
LG