Ndërlidhjet

Irani një hap tutje, ndalon shfaqjen e filmave iranianë jashtë kufijve


Pamje e filmit Delighted nga producenti, Abdolreza Kahani
Pamje e filmit Delighted nga producenti, Abdolreza Kahani

Irani ka rritur nivelet e përpjekjes për censurë kulturore, duke i bërë presion producentit të filmit, Abdolreza Kahani, të anulojë shfaqjen e një prej filmave të tij në Kanada.

Filmi, Delighted, ishte planfikuar të shfaqej gjatë muajit të kaluar në një teatër të Torontos.

Mirëpo Kahani ka vendosur të anulojë shfaqjen, pas paralajmërimeve të Ministrisë së Kulturës.

Një burim i afërt me Kahanin, që nuk ka dashur të identifikohet, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ministra e ka “këshilluar” producentin se nëse do të vazhdonte tutje, filmi tjetër i tij, We Love You Mrs. Yaya, që është xhiruar në Tajlandë, nuk do të prezantohej para publikut në Iran.

“Kur jemi njoftuar se filmi do të shfaqet në Kanada dhe tiketat janë shitur, ne kemi pranuar një kërkesë për anulim të shfaqjes. Në mesazh thuhej se nëse nuk anulohej shfaqja, atëherë filmi tjetër i Kahanit, që ishte xhiruar në Tajlandë dhe ishte i kushtueshëm, nuk do të fitonte leje për prezantim”, ka thënë burimi.

Producenti, Abdolreza Kahani
Producenti, Abdolreza Kahani

Sipas po këtij burimi, autoritetet kanë kontaktuar me producentët, duke përfshirë edhe ata që kanë qenë të përfshirë në filmin, We Love You Mrs. Yaya, ta bindin Kahanin që të anulojë shfaqjen e filmit në Toronto.

Kahani ka thënë në një intervistë për Radion Kanada, se filmi Delighted është një rrëfim për tri gra, të cilat duan të kalojnë kohë të mirë në Iran dhe synojnë të takojnë burra të pasur në mënyrë që t’i arrijnë qëllimet e tyre.

Një zyrtar i ministrisë së Kulturës ka thënë më 2016 se ky film është “i pamoralshëm”.

Vitin e kaluar një anëtar i komitetet që lëshon lejet për shfaqje të filmave ka thënë se filmi Delighted ishte problematik “nga fillimi deri ne fund”.

Kritiku i filmit, Khosro Dehghan, ka thënë se vendimi i ministrisë së Kulturës për të ndaluar shfaqjen e filmit Delighted në Kanadë është i pashembullt.

“Ministria e Kulturës nuk do të deklarohet për këtë çështje, pasi do të tregonte se ky institucion nuk e kufizon veten vetëm në kufijtë e shtetit, çdo film që është i ndaluar këtu, nuk do të lejohet të shfaqet në asnjë vend të botës”, ka thënë Deghan në një intervistë për të përditshmen, Jamee Farda.

“Ministria e ka zgjeruar rrjetin përtej kufijve”, ka thënë ai.

Të bllokuar në shtëpi, të lavdëruar në botë

Autoritetet vazhdimisht kanë ndaluar shfaqjen e filmave iranianë që janë shpërblyer jashtë vendit.

Mirëpo deri më tash nuk është njoftuar për ndonjë përpjekje të ndalimit të shfaqjes së ndonjë filmi jashtë Iranit.

Producenti i filmit, Jafar Panahi, i cili është dënuar me gjashtë vite burg dhe 20 vite ndalim të prodhimit të filmave më 2010, ka fituar çmimin Ariu i Artë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin për filmin e tij të fundit Taxi.

Producenti iranian, Jafar Panahi
Producenti iranian, Jafar Panahi

Pahani i ka thënë Jamee Farda, se Irani nuk duhet të ndërhyjë në shfaqjen e filmave në shtetet e tjera.

“Rregullat e brendshme nuk duhet të vlejnë kur është puna tek shfaqja e filmave jashtë shtetit”, ka thënë ai.

“Nëse do të ishte ashtu, kinemaja e Iranit nuk do të kishte kurrë mundësi që të rritej apo të prezantohej para botës”, ka shtuar Pahahi.

“Autoritetet ose duhet të ndalojnë industrinë e filmit apo të gjejnë një zgjidhje”, ka thënë ai.

Kufizime të ashpra

Producentët e filmit duhet të ndjekin një varg rregullash të cilat ndalojnë shfaqjen e femrës së pambuluar, kontaktin fizik në mes të gruas dhe burrit si dhe ndonjë kritikë eventuale për parimet e Islamit.

Këto kufizime më pas ndikojnë edhe në temën që mund të diskutohet në filma.

Sidoqoftë, producentët iranianë kanë arritur të prodhojnë filma që janë njohur ndërkombëtarisht dhe kanë fituar çmime.

Filmat që janë të ndaluar brenda shtetit janë të qasshëm në markete ilegale dhe online.

Kahani ka shkruar më parë një koment të publikuar në të përditshmen Sharq, se “producentët nuk kanë të drejtë të shfaqin realitetin ose jetën në Iran”.

“Nga çka frikësohemi? Nga realiteti aktual?! Njerëzit e din shumë mirë se çfarë po bëhet dhe janë shumë më përpara se filmat apo menaxherët”, ka shkruar ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG