Ndërlidhjet

Trump shpreson që këshilltari Mueller të tregohet i drejtë


Presidenti amerikan, Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se beson që ai do të trajtohet në mënyrë të drejtë nga Këshilltari Special, Robert Mueller, i cili është duke udhëhequr hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për New York Times, Trump ka tentuar të largojë shqetësimet rreth hetimeve, të cilat janë bazuar në përfundimet e agjencive të Inteligjencës në SHBA, se Rusia ka tentuar t’i ndihmojë Trumpit për të fituar kundër demokrates, Hillary Clinton, duke shpërndarë propagandë në mediat sociale dhe duke publikuar emaile të turpshme.

“Të gjithë e dinë se nuk ka pasur bashkëpunim. Mirëpo unë mendoj se ai do të jetë i drejtë”, ka thënë Trump, gjatë një interviste e cila ishte realizuar në klubin e tij të golfit në Florida.

Mueller ka akuzuar katër bashkëpunëtorë të presidentit Tump në hetimet e tij, duke përfshirë, ish këshilltarin e Trumpit për Siguri Kombëtare, Michael Flynn, i cili ka pranur fajësinë për deklarata të rrejshme të dhëna drejt FBI-së dhe tani është duke bashkëpunuar me hetuesit.

“Kjo gjendje ka krijuar zemërim në bazën tonë, mirëpo e ka bërë më të fuqishme. Tani jemi më të fuqishëm se asnjëherë tjetër”, ka thënë Trump.

Avokatët e Trumpit ka thënë me javë të tëra se presin që hetimet e Muellerit të përfundojnë shpejt, përkatësisht deri në fund të vitit 2017.

Mueller nuk ka komentuar se sa gjatë do të vazhdojë puna e tij.

Edhe Trump ka thënë se nuk e di sa do të zgjasin hetimet.

Mirëpo presidenti amerikan ka përsëritur se demokratët “e kanë trilluar storien ruse, si arsyetim për humbjen në zgjedhje”.

XS
SM
MD
LG