Ndërlidhjet

K. Veriore: Të gjithë SHBA-në e kemi nën rrezen tonë bërthamore


Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka thënë se shteti i tij ka rritur kapacitetin për të goditur tokën amerikane me armë nukleare dhe se butoni bërthamor është “në tavolinën time”.

“I gjithë territori i Shteteve të Bashkuara është brenda rrezes së armëve tona bërthamore dhe butoni bërthamor është gjithmonë në tavolinën time. Ky është realiteti, nuk është kërcënim”, ka thënë Kim gjatë një fjalimi televiziv për Vitin e Ri.

Ai ka thënë se vendi i tij ka “kompletuar” procesin e të bërit fuqi bërthamore dhe “duhet patjetër të rrisin prodhimin e kokave bërthamore dhe raketave balistike”.

Ai po ashtu ka shtuar, se do t’i përdorte këto armë vetëm në rast se rrezikohet siguria e vendit.

Lideri verikorean ka përdorur fjalor tjetër ndaj Koresë Jugore duke thënë se “rruga është e hapur” për dialog me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve në mes të Phenianit dhe Seulit.

“Kur flasim për marrëdhëniet Veri-Jug, ne duhet të ulim tensionet ushtarake në Gadishullin Korean për të krijuar një ambient paqësor”, ka thënë Kim.

“Mirëpo Veriu dhe Jugu duhet të bëjnë përpjekje”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera ai ka përmendur se mund të realizohet një takim eventual në mes të dy shteteve për të diskutuar pjesëmarrjen e Koresë Veriore në Lojërat Olimpike Dimërore.

Koreja Jugore është aleate e Shteteve të Bashkura, derisa këto të fundit kanë mijëra trupa në Korenë Jugore.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Veriore janë përballur me luftë fjalësh e cila është rritur secilën herë që Pheniani ka testuar raketa balisitike dhe armë bërthamore, duke shkelur rezolutën e Kombeve të Bashkuara.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump gjatë një fjalimi në OKB, pati premtuar se “do ta shkatërrojë totalisht” Korenë Veriore nëse vazhdon të kërcënojë SHBA-në dhe aleatët e saj me veprime të tilla.

Ndër të tjera, SHBA ka luajtur rolin më të madh në ashpërsimin e sanksioneve ndaj Koresë Veriore, hap të cilin Pheniani e ka konsideruar “akt të luftës".

XS
SM
MD
LG