Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

BE fton ministrin iranian për të diskutuar protestat kundër qeverisë


Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel (djathtas) duke dëgjuar homologun e tij iranian, Mohammad Javad Zarif (majtas), gjatë një konference për media në Berlin, foto nga arkivi

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka thënë se Bashkimi Evropian do të ftojë ministrin e Jashtëm iranian për të biseduar rreth protestave kundër qeverisë të cilat kanë nisur më 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Gabriel i ka thënë televizionit ZDF në Berlin, se “së bashku me shefen për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, jemi pajtuar për ta ftuar ministrin e Jashtëm iranian, nëse është e mundshme gjatë javës tjetër”.

“Ne shumë shpejt kemi konfirmuar se mbështesim lirinë për të protestuar dhe se shteti duhet të përkrahë atë”, ka thënë Gabriel.

Sidoqoftë ai ka thënë se shteti i tij nuk do të ndjekë presidentin amerikan, Donald Trump, i cili u ka premtuar protestuesve iranianë për ‘ta kthyer” qeverinë e tyre.

Gabriel ka thënë se Gjermania ashtu sikur Franca “kanë paralajmëruar kundër tentimeve për të instrumentalizuar konfliktin e brendshëm në Iran”.

Ende nuk ka pasur komente nga ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif

Komentet e zyrtarit gjerman kanë ardhur pasi Garda Revolucionare e Iranit, ka thënë se kanë “mposhtur” protestat kundër qeverisë që janë përkrahur nga vendet e huaja.

Më 7 janar përmes një deklarate, kjo Gardë ka thënë se “njerëzit revolucionarë të Iranit së bashku me mijëra forca ushatarake, ministrinë e Inteligjencës dhe policinë, kanë shpërbërë zinxhirin e protestave të krijuara nga Shtetet e Bashkuara, Britania”, Izraeli, Arabia Saudite, militantët dhe monarkistët.

Deklarata e Gardës është lëshuar pasi parlamenti iranian ka mbajtur një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar protestat kundër qeverisë, të cilat kanë goditur qytetin për më shumë se një javë.

Sesioni parlamentar ishte ftuar nga fraksioni i ligjvënësve reformistë, të cilat kanë pyetur zyrtarët e sigurisë dhe inteligjencës për shkaqet e protestave, për të cilat qeveria iraniane i ka fajësuar vendet e huaja.

Përmes një deklarate është thënë se janë ngritur shqetësimet për kontrollin e internetit gjatë këtyre ngjarjeve, duke përfshirë ndalimin e aplikacionit më të përdorur në Iran, Telegramit.

Zyrtarët kanë thënë se ky aplikacion është pëdorur për të nxitur dhunë.

Është raportuar se qeveria ka lehtësuar disa ndalime të cilat i ka vënë më herët për Instagramin.

Mirëpo deri në 7 janar qasja në Telegram ka mbetur e bllokuar, pavarësisht raportimeve të agjencisë së lajmeve FARS, se të gjitha ndalesat janë hequr.

Pothuajse një e treta e popullsisë 80 milionëshe e Iranit, e përdor Telegramin si burimin kryesor të lajmeve.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shfaqur mbështetje për protestuesit, mirëpo i kanë hedhur poshtë supozimet për nxitjen e tyre.

Protesta kundër presidentit iranian Hassan Rohani në Romë
Protesta kundër presidentit iranian Hassan Rohani në Romë

Nga protestat e mbajtura kanë vdekur 22 persona ndërsa më shumë se 1,700 janë arrestuar.

Disa zyrtarë iranianë kanë thënë më 6 janar se qindra të ndaluar janë liruar, pasi janë pajtuar për të nënshkruar premtimin për të mos ofenduar më, ka thënë agjencia e lajmeve ISNA.

Me vonë më 7 janar, prokurori i Teheranit, Jafari Dolatabadi ka thënë se 70 protestues të ndaluar janë liruar në 48 orët e kaluara.

Ai po ashtu ka thënë se do të ketë më shumë lirime, përveç nxitësve kryesor të trazirave.

Emigrantët iranianë kanë mbajtur një mori protestash kundër qeverisë përpara ambasadave iraniane në vende të ndryshme në botë, duke përfshirë, Hagën, Berlinin e Hamburgun, Stokholmin, Londrën dhe Parisin.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG