Ndërlidhjet

Dyzet vjet pas, flet “dezertuesi më i ri sovjetik”


Volodymyr (Walter) Polovchak, 12 vjeç
Volodymyr (Walter) Polovchak, 12 vjeç

Ai ka një grua, dy fëmijë, një shtëpi në periferi të Çikagos, dhe në 20 vitet e fundit punon si menaxher i një zyre. Jeta e Volodymyr, apo Walter Polovchak, duket e njejtë sikur e një amerikani të zakonshëm.

Por, afër 40 vite më herët, Polovchak ka qenë në qendër të një grindje të Luftës së Ftohtë, pasi që në moshën 12 vjeçare kishte refuzuar të kthehej në shtëpinë e tij në Ukrainën sovjetike. Ai ishte joshur nga liritë dhe mundësitë që i kishte parë në Shtetet e Bashkuara gjatë një vizite familjare.

Atë kohë, Uashingtoni e konsideronte atë si “dezertuesin më të ri sovjetik”. Për Kremlinin, ai ka qenë “peng”, së bashku me motrën e tij më të moshuar, Natalian, që poashtu kishte refuzuar të kthehej në shtëpi. Polovchak shpejt ishte bërë temë e medieve, një figurë aksidentale në luftën në mes të Uashingtonit e Moskës.

“Po, atë kohë ka qenë Lufta e Ftohtë, por unë nuk e kuptoja atë, dhe nuk mërzitesha për të. Unë dëshiroja të qëndroj këtu. Unë pata jetuar në Bashkimin Sovjetik për 12 vite dhe e kam parë se çfarë jete dhe mundësi të ofrohen atje,” thotë Polovchak në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, shërbimi në gjuhën ukrainase.

“Këtu e kam parë se mund të shkosh në kishë dhe askush nuk do të persekutoj nëse e bën një gjë të tillë, ashtu siç ndodhte në Ukrainë,” thotë Polovchak, i cili tashmë ka mbushur gati 50 vjet, teksa tregon për përshtypjet e tij të para për Amerikën e viteve 1980-ta. “Nëse dëshironi të zhvendoseni nga një vend në tjetrin, nuk ka nevojë për leje nga shteti”.

I joshur nga llojshmëria

Si edhe të tjerët që ishin larguar nga vendet që gjendeshin prapa Perdes së Hekurt [kufiri që ndante Evropën në dy territore të ndara pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore deri kur përfundoi Lufta e Ftohtë], edhe ai ishte joshur nga llojshmëria e zgjedhjeve të gjërave ushqimore në Perëndim.

“Ne shkuam në një dyqan, dhe aty mund të blije çdo gjë. Kurrë në jetë nuk kisha parë diçka të tillë,” thotë ai. “Në Ukrainë kam parë njerëzit teksa prisnin dy orë në rend për bukë!.”

Polovchak ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara në vitin 1980, së bashku me prindërit, motrën më të moshuar dhe një vëlla më të ri se ai. Ata vinin nga Sambor, afër Lvivit, dhe u vendosën në Çikago, ku jetonin disa të afërm të tyre.

Megjithatë, babai i tij nuk përshtatej me jetën në SHBA, dhe shpejt vendosi që të kthehej i vetëm në shtëpi.

Por, Kremlini nuk ishte pajtuar. “Ata thanë, ‘ju jeni larguar me familje, dhe duhet të ktheheni këtu me familjen tuaj’”, shpjegon Polovchak.

Ilustrim
Ilustrim

Derisa nëna e Volodymyr ishte pajtuar me idenë e rikthimit, ai dhe motra e tij, Natalia, që atë kohë ishte 17 vjeç, refuzuan të luajnë nga vendi.

“Unë provova të flas me babain tim: “Jepi një rast këtij vendi. Të shohim si do të funksionojë. Ne veç e dinim se çfarë na pret në Ukrainë, në Bashkimin Sovjetik,” sqaron Polovchak.

Por, babai i tij nuk bindej.

“Ne asnjëherë nuk e kuptuam pse ai dëshiroi të kthehej. Nuk i pëlqente këtu. Ai ishte një njeri i thjeshtë, punonte si shofer i autobusit, dhe nuk mundi të mësohej me jetën këtu. Ka qenë e vështirë sepse ai nuk fliste gjuhën angleze, dhe i duhej të fillonte nga e para,” thotë ai.

Kështu që një natë, ai me Natalian, pa bërë zhurmë u larguan nga shtëpia, dhe qëndruan tek një i afërm i tyre që jetonte afër.

Cirku medial

Policia menjëherë i kishte gjurmuar ata dhe i kishte ndaluar. Në një stacion policor, zyrtarët kërkonin për një përkthyes për të thyer pengesat e komunikimit, dhe përfundimisht kishin gjetur një grua qe fliste polonisht.

“Tentova që t’ia sqaroja asaj se nëse kthehem tek prindërit e mi, ata do të më largojnë nga shteti,” rikujton Polovchak.

Ai thotë se përgjatë gjashtë apo tetë orëve aty, zyrtarët policore kishin tentuar ta bindin që t’i nënshkruajë disa dokumente, por ai kishte refuzuar nga frika se do të deportohej.

Volodymyr (Walter) Polovchak
Volodymyr (Walter) Polovchak

Një televizion lokal që ishte njoftuar se ai po mbahej aty, kishte dërguar një ekip gazetarësh, gjë që kishte nxitur pastaj një crik mediatik jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Bashkimin Sovjetik.

“Në Bashkimin Sovjetik ata tashmë thonin se unë isha kidnapuar, që isha mashtruar me një “biçikletë dhe Jell-O [lloj ëmbëlsire],” thotë Polovchak.

Çështja ishte dërguar në gjykatë, me Volodymirin që praktikisht kishte paditur prindërit e tij.

Avokatët e tij thonin se ai do të ishte i rrezikuar në Bashkimin Sovjetik. Në anën tjetër, prindërit pretendonin se Volodymyr dhe Natalia ishte kindapuar.

Në fund, një gjykatë amerikane ia mundësoi Volodymyrit qëndrimin e përkohshëm si refugjat i ri. Në vitin 1985, kur ai i mbushi 18 vjet, Volodymyr ishte betuar si qytetar amerikan, duke ecur kështu gjurmëve të motrës së tij, Natalia, e cila për shkak se ishte më e moshuar, e kishte kryer këtë procedurë ligjore më herët.

Fëmija i Lirisë

Në vitin 1988, ai e rrëfeu jetën e tij në një libër autobiografik, të quajtur Freedom’s Child [Fëmija i Lirisë], e bashkëshkruar me Kevin Klose, ish-shef i zyrës së Washington Post në Moskë dhe ish-president i Radio Evropës së Lirë/Radio Lirisë.

Për shumë vite, deri në rënien e Bashkimit Sovjetik dhe pavarësimin e Ukrainës, ai kishte qëndruar larg prindërve dhe vendlindjes.​

“Në Ukrainë kam ardhur për herë të parë në vitin 1993. Fillova të flas sërish me prindërit. Dhe që nga ajo kohë, unë kam shkuar në Ukrainë afërsisht çdo dy vjet,” thotë ai.

“E di që nëna ime gjithmonë është penduar për faktin se është kthyer. Edhe babai, pak para se të vdiste, e ka pranuar se ka bërë gabim”.

Polovchak thotë se nga i përcjell prej afër ngjarjet në Ukrainë, duke lexuar të gjitha lajmet që i sheh në gazeta apo në televizione.

“Unë dua që Ukraina të jetë e pavarur, në mënyrë që njerëzit të kenë liritë dhe mundësitë që ne këtu në Amerikë i kemi”.

Dhe për ata ukrainas të zhgënjyer nga ritmi i ngdaltë i ndryshimeve, Polovchak ka një porosi.

“Që kur kam filluar ta vizitoj Ukrainën në vitin 1993, unë kam parë ndryshime të mëdha,” thotë ai. “Jeta atje është bërë më e mirë. Njerëzit që jetojnë në Ukrainë mund të mos pajtohen me këtë; natyrisht, të gjithë dëshirojnë më shumë. Por, për të pasur një jetë më të mirë, duhet shumë kohë. Por, unë besoj se tani Ukraina është në drejtimin e duhur”.

XS
SM
MD
LG