Ndërlidhjet

Thaçi e Vuçiq zhvillojnë bisedë telefonike


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Sipas një postimi të presidentit Thaçi në rrjetin social Facebook, të dy presidentët trajtuan çështjet e ndryshme të interesit të përbashkët, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.

Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet të dy presidentëve, ishte edhe vrasja e djeshme e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviq.

“Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”, thuhet në shkrimin e Thaçit.

Ai theksoi se, organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje.

Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t'u jepet kohë e mjaftueshme që organet kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryesve të kësaj vrasjeje.

XS
SM
MD
LG