Ndërlidhjet

Uzbeku i gatshëm të pranojë fajësinë për sulmin në Nju Jork


Sayfullo Saipov
Sayfullo Saipov

Një uzbek i akuzuar për vrasjen e tetë personave në Nju Jork, duke përplasur kamionin për ta, është i gatshëm të pranojë fajësinë dhe dënimin e përjetshëm me burg, nëse prokurorët nuk kërkojnë dënim me vdekje.

Oferta u bë nga avokatët e Sayfullo Saipovit, derisa prokurorët kërkuan nga Gjykata e Qarkut në Menhatën të caktojë prillin e vitit 2019 si datë për gjykimin e tij.

Saipov akuzohet për vrasje dhe terrorizëm për sulmin e kryer në tetor të vitit të kaluar.

Prokurorët thanë se të plagosurit në sulm dhe të afërmit e të vrarëve kanë “dëshirë të madhe që rasti të mbyllet”.

Avokatët e Saipovit thanë se mënyra më e shpejtë për zgjidhjen e rastit është që prokuorët të pranojnë propozimin e tyre.

Vendimi duhet të merret fillimisht nga prokurori në Menhatën, Geoffrey Berman, dhe pastaj nga prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Jeff Sessions.

Të dy ata janë emëruar nga presidenti Donald Trump, i cili ka thënë se Saipov duhet të përballet me dënimin me vdekje.

XS
SM
MD
LG