Ndërlidhjet

BE mirëpret gatishmërinë e Prishtinës e Beogradit për vazhdimin e dialogut


Bruksel

Bashkimi Evropian ka mirëpritur gatishmërinë e presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, për të vazhduar me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Sipas saj, gatishmëria e Serbisë dhe e Kosovës për vazhdimin e dialogut është konfirmuar me bisedën telefonike, që kanë zhvilluar Thaçi dhe Vuçiq të mërkurën.

Kocijançiq tha se po punohet në caktimin e takimit të ri në nivel teknik, i cili është anuluar të martën, pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

"Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në dialog është detyrim i të dyja palëve. Një gjë e tillë është vendimtare edhe për shpejtësinë me të cilën do të përparojnë dy vendet në rrugën evropiane", tha Kocijançiq.

XS
SM
MD
LG