Ndërlidhjet

Liderët institucionalë përkujtojnë presidentin e ndjerë, Rugova


Kosova, Rugova, Ibrahim, at RFE/RL in Prague , 18 Dec1998
Kosova, Rugova, Ibrahim, at RFE/RL in Prague , 18 Dec1998

Në përvjetorin e 12 të vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, drejtuesit e lartë institucionalë, kanë përkujtuar dhe nderuar figurën e presidentit të ndjerë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë Rugova dhe ka vlerësuar punën e tij prej shkencëtari në fushën e albanologjisë, si dhe veprimtarinë e tij politike.

“Brenda një periudhe dhjetëvjeçare udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore, duke shprehur vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, me orientim nga vlerat perëndimore. Pas çlirimit të Kosovës, presidenti Rugova ishte pjesë e të gjitha ngjarjeve dhe vendimeve të konsolidimit të shtetit të Kosovës, deri në momentin e vdekjes”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social Facobook.

Homazhe te varri i presidentit të ndjerë Rugova ka bërë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktari.

Kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar lartë figurën e presidentit të ndjerë Rugova, duke kujtuar të arriturat që ai i bëri për vendin dhe popullin e tij.

“Është përvjetori i vdekjes së presidentit tonë të parë dhe historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. I bëmë nderim te varri dhe vizituam edhe familjen. Sot për simbolikë, ashtu sikur edhe presidenti që ka qenë çdo herë i përcaktuar, sytë dhe orientimin kah Amerika, unë kam një bashkatdhetar, shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktarin, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë afër presidentit”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shprehur, siç ka quajtur, “respektin e përjetshëm për jetën dhe veprën” e presidentit të ndjerë Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjithashtu e ka përkujtuar presidentin e ndjerë Rugova, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“I përjetshëm do të jetë kujtimi dhe nderimi për arkitektin e pavarësisë së Kosovës, presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova”, ka shkruar Mustafa.

XS
SM
MD
LG