Ndërlidhjet

Mbreti i Jordanisë i shqetësuar me vendimin e SHBA-së për Jerusalemin


Nënpresidenti amerikan, Mike Pence (majtas) në drekë me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II (djathtas)

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II, ka shprehur “shqetësimet” e tij lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta njohur Jerusalmin, kryeqytet të Izraelit.

“Për ne, Jerusalemi është çelësi i myslimanëve, të krishterëve, dhe hebrenjëve. Është çelësi i paqes në rajon dhe vendi kyç për t’iu mundësuar myslimanëve që të luftojnë në mënyrë efektive disa nga shkaqet rrënjësore të radikalizmit”, ka thënë mbreti, pasi ka takuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence në Aman.

Duke e konsideruar vendimin e presidentit Trump “historik”, Pence ka thënë se administrata amerikane vazhdon të jetë e përkushtuar në rifillimin e përpjekjeve për paqe në konfliktin izraelito-palestinez, derisa e sheh Jordaninë si lojtarin qendror.

Vizita e nënpresidentit amerikan në kryeqytetin jordan është zhvilluar në kuadër të udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme, e cila ka nisur fillimisht në Kajro më 20 janar, ku është takuar me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi.

Pence do të niset nesër drejt Izraelit, pasi do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu si dhe do t’i adresohet parlamentit.

Ai nuk pritet të takohet me zyrtarët palestinezë gjatë kësaj vizite, e cila vjen pas më shumë se një muaji prej kur presidenti Trump mori vendim për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Ky hap ka zemëruar palestinezët, të cilët e shohin Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe ka deklaruar gjithë qytetin si kryqytet, vendim i cili nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG