Ndërlidhjet

Puigdemont në Danimarkë, përkundër kërcënimit nga Spanja


Carles Puigdemont gjatë një konference për gazetarë në Bruksel

Ish-lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka udhëtuar në Danimarkë, përkundër kërcënimit të qeverisë së Spanjës, se nëse ai largohet nga Brukseli, atëherë do të lëshohet fletarrest për të.

Aeroplani i Puigdemontit sot ka ateruar në aeroportin e Kopenhagës, ku parashihet të jetë pjesëmarrës në debat në një universitet, më vonë gjatë ditës.

Ky është udhëtimi i parë i ish-liderit të Katalonjës jashtë Brukselit, ku ai arriti për t’i shpëtuar paraqitjes në gjykatë në Spanjë, për shkak të rolit të tij në pavarësinë e dështuar të rajonit të Katalonjës, në muajin tetor të vitit të kaluar.

Prokurori shtetëror i Spanjës ka deklaruar dje se nëse Puigdemont hynë në Danimarkë, siç ishte planifikuar, atëherë “menjëherë do të kërkojë” që Gjykata Supreme e Spanjës të lëshojë fletarrest evropian kundë tij.

Spanja pat lëshuar fletarrest evropian për zënien e Puigdemontit në muajin nëntor të vitit të kaluar, por e tërhoqi atë pas një muaji.

Në goditjen madhore ndaj qeverisë së Madridit, partitë për pavarësi fituan shumicë absolute në zgjedhjet e parakohshme rajonale në Katalonjë, të mbajtura më 21 dhjetor.

Carles Puigdemont po përpiqet të rizgjedhet si president i Katalonjës, duke thënë se dëshiron të qeverisë nga ekzili, me qëllim që ta evitojë arrestimin nëse kthehet në Spanjë.

Madridi thotë se qeverisja e Katalonjës nga jashtë do të jetë “ilegale”.

XS
SM
MD
LG