Ndërlidhjet

Mattis i kërkon Turqisë të përmbahet nga ofensiva anti-kurde


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, i bëri thirrje Turqisë të përmbahet nga ofensiva e saj kundër milicisë kurde në Siri.

“I marrim shumë seriozisht shqetësimet legjitime të Turqisë për sigurinë dhe jemi të përkushtuar të punojmë për to me aleatët e NATO-s”, tha Mattis në Xhakartë, në fillim të një turneu aziatik.

“I bëjmë thirrje Turqisë të ushtrojë përmbajtje nga aksioni ushtarak dhe retorika”, shtoi ai.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se do ta intensifikojë ofensivën kundër milicisë kurde në Sirinë fqinje.

Turqia e konsideron milicinë si grup terrorist dhe si degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila do autonomi për kurdët brenda Turqisë.

Milicia kurde në Siri e mohon çdo lidhje m PPK-në.

Kjo milici, e cila kontrollon territore të mëdha në verilindje të Sirisë, ka qenë aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik atje.

Ankaraja kërkon tani që t’i jepet fund aleancës, duke thënë se lufta kundër Shtetit Islamik ka marrë fund.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbeten të përqendruara në luftën kundër Shtetit Islamik”, tha Mattis.

Forcat turke kanë nisur ofensivën kundër milicisë kurde në Afrin të shtunën. Mijëra civilë raportohet se kanë ikur nga zona.

XS
SM
MD
LG