Ndërlidhjet

Rusi: Navalny në mesin e protestuesve të arrestuar


Pamje nga protesta e sotme në mbështetje të bojkotit të zgjedhjeve presidenciale në Sheshin Pushkin në Moskë
Pamje nga protesta e sotme në mbështetje të bojkotit të zgjedhjeve presidenciale në Sheshin Pushkin në Moskë

Dhjetëra njerëz, përfshirë liderin opozitar, Aleksei Navalny, janë arrestuar sot në gjithë Rusinë, derisa ata janë tubuar për mbështetje të thirrjes për bojkot të zgjedhjeve presidenciale në mars të këtij viti.

Navalny, i cili është edhe luftëtar i paepur kundër korrupsionit në Rusi, ka shkruar në rrjetin Twitter se ishte arrestuar, pasi i ishte bashkuar protestës ku merrin pjesë më se 1 mijë vetë në pjesën qendrore të Moskës.

Disa demonstrues brohoritnin “bojkotoni zgjedhjet” dhe “Rusia pa Putinin”.

Rusët e pakënaqur me perspektivën që edhe gjashtë vitet e ardhshme t’i kalojnë nën presidentin, Vladimir Putin, po protestojnë në gjithë Rusinë, në mbështetje të thirrjes së liderit opozitar, Aleksei Navalny, për bojkot të zgjedhjeve presidenciale, megjithë vërejtjet e autoriteteve se do të jenë të ashpra ndaj demonstruesve, për të cilët vlerësohet se e kanë shkelur ligjin.

Projekti joqeveritar për të drejtat e njeriut, OVD-Info, që i monitoron aktivitetet e agjencive për zbatimin e ligjit, ka raportuar se policia i ka arrestuar afro 90 vetë në gjithë Rusinë.

Aleksei Navalny ka ftuar për bojkot të zgjedhjeve presidenciale të 18 marsit, pasi autoritetet nuk e lejojnë atë të jetë kandidat në këto votime, për shkak të dënimit lidhur me vepra të ndërlidhura me krime financiare. Këto dënime ai dhe mbështetësit e tij i vlerësojnë si të motivuara politikisht dhe të nxitura nga Kremlini si hakmarrje për aktivitetin e tij opozitar.

XS
SM
MD
LG