Ndërlidhjet

Bruno Mars "grabit" gjashtë çmime Grammy


Këngëtari Bruno Mars dhe gjashtë çmimet Grammy të fituara mbrëmë

Këngëtari Bruno Mars ka qenë fituesi kryesor në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy që është mbajtur mbrëmë në Madison Square Garden në Nju Jork, transmeton Reuters.

Mars ka fituar gjashtë çmime Grammy, duke përfshirë atë për këngën e vitit, “That’s What I Like” dhe dy çmime të tjera për albumin e tij “24K Magic”.

“Këto këngë janë shkruar me asgjë tjetër përveç kënaqësisë, dashurisë dhe kjo ka qenë gjithë ajo që kam dashur në këtë album, të shohë secilin duke vallëzuar”, ka thënë 32 vjeçari, Bruno Mars.

Ai po ashtu ka nderuar edhe konkurentët e tij, Jay-Z, Kendrick Lamar, Childish Gambino dhe Lorde duke thënë " faleminderit që bekoni botën me muzikën tuaj”.

Kendrick Lamar, i njohur si një nga reperët më inovativ, ka fituar pesë çmime kryesisht në kategorinë e këngëve rep për albumin e tij “DAMN”.

Alessia Cara ka fituar çmimin për artisten e re më të mirë, duke e bërë femrën e vetme që ka fituar ndonjë çmim të madh në ceremoninë e djeshme.

Veterani Jay-Z nuk ka fituar asgjë dhe ka vendosur të mos performojë në natën e kaluar.

Në tapetin e kuq, dhjetëra muzicientë mbanin trëndafila të bardhë për të mbështetur barazinë gjinore dhe lirinë nga ngacmimet seksuale.

Pavarësisht asaj në këtë ceremoni kanë dominuar fituesit meshkuj.

Në këtë mbrëmje, disa artistë kanë përmendur edhe çështjen e diskriminimeve racore, duke iu referuar deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, pasi ishte raportuar se ai i kishte cilësuar disa vende afrikane si shtete të “pista”.

XS
SM
MD
LG