Ndërlidhjet

Putin përkrah atletët që do të garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore


Presidenti rus, Vladimir Putin gjatë takimit të sotëm me atletët
Presidenti rus, Vladimir Putin gjatë takimit të sotëm me atletët

Presidenti rus, Vladimir Putin u ka bërë thirrje atletëve rusë të injorojnë skandalet e dopingut derisa janë duke garuar në Lojërat Olimpike Dimërore në Pjonçang.

Putin u ka thënë një grupi të atletëve në rezidencën e tij presidenciale jashtë Moskës, se vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të ndaluar pjesëmarrjen e Rusisë në Lojërat Olimpike përbën “sulm të jashtëm” në sportet ruse.

Si sanksion për atë që është cilësuar skemë e dopingut gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2014, në të cilat Rusia ka qenë nikoqire e tyre në Soçi, Komiteti Olimpik ka marrë vendim në muajin dhjetor të vitit të kaluar për t’i ndaluar Rusisë pjesëmarrjen për siç është thënë “manipulimin sistematik të pashembullt” të sistemit olimpik kundër dopingut.

Sidoqoftë Komiteti ka ftuar 169 rusë për të garuar nën flamurin neutral duke përdorur emrin “Atletët olimpikë nga Rusia”.

Shefi i IOC, Thomas Bach, ka thënë se ftesat për këto lojëra do të shkojnë vetëm për atletët rusë për të cilët “nuk ekziston as dyshimi më i vogël”.

“Dëshiroj që ju të mos mendoni për asgjë që ka ndodhur kohëve të fundit për Lojërat Olimpike”, u ka thënë Putin atletëve, duke shtuar se “ju duhet të fokusoheni në garë dhe ta dini se janë duke ju përcjellur mijëra e miliona tifozë, të cilët ju duan dhe shpresojnë që ju të fitoni”.

“Rusia do ta përkrahë gjithmonë idenë e sporteve të pastra në të gjitha kuptimet, të pastra nga dopingu, nga fenomenet artificiale të cilat nuk kanë të bëjnë me këto sporte”, ka shtuar Putin.

Grupi i atletëve rusë do të mbajë të veshur uniforma “neutrale”, pa flamurin rus dhe në rast të fitores do të dëgjohet himni olimpik.

XS
SM
MD
LG