Pakistanezët i kanë dhënë lamtumirën avokates dhe aktivistes së të drejtave të njeriut, Asma Jahangir, e cila ka vdekur në moshën 66-vjeçare nga sulmi në zemër.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në funeralin e saj në qytetin Lahore, përfshirë të afërm, miq, avokatë, politikanë dhe aktivistë të të drejtave civile.
Duke vlerësuar punën e Jahangirit, shefi i gjyqësorit në Pakistan, Mian Saqib Nisar, e quajti atë “personalitet të lartë dhe të patrembur”.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka quajtur Jahangirin “gjigante të të drejtave të njeriut” dhe ka vlerësuar guximin e saj në fushatat për drejtësi dhe barazi për të gjithë.
Jahangir ka bashkëthemeluar Komisionin e të Drejtave të Njeriut në Pakistan dhe ka qenë presidente e Shoqatës së Avokatëve të Gjykatës Supreme. Ajo gjithashtu ka shërbyer si raportuese e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut.
Jahangir ka qenë kritike e madhe e establishmentit ushtarak të Pakistanit dhe e ekstremistëve islamikë.
Në vitet e fundit, ajo ka kritikuar zëshëm keqpërdorimin e ligjeve të blasfemisë që bartin dënimin me vdekje.