Ndërlidhjet

Identifikohet sulmuesi i dyshuar i ambasadës amerikane në Podgoricë


Sulm në ambasadën amerikane në Podgoricë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Prokuroria dhe policia në Mal të Zi e identifikuan sulmuesin e dyshuar të ambasadës amerikane në Podgoricë si Dalibor Jaukoviq, i lindur në Kralevë të Serbisë.

I dyshuari hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës në orët e para të ditës së sotme, përpara se të vriste veten.

Prokuroria dhe policia malazeze thanë se Jaukoviq dyshohet se ka aktivizuar një granatë dore M75 në drejtim të kompleksit të ambasadës.

Në hetime u tha se është përfshirë edhe FBI-ja.

Ambasada amerikane në Podgoricë tha se akush nga stafi nuk është plagosur.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi tha se nuk i di ende motivet e sulmuesit.

"Ky person mashkull, sipas aktiviteteve të ndërmarra deri më tani, është vrarë pasi ka shpërthyer një mjet shpërthyes dhe pasi ka hedhur një mjet shpërthyes në kompleksin e ambasadës", tha policia më herët.

Në deklaratën e saj po ashu u tha se nuk ka asnjë dëm tjetër përveç një krateri nga shpërthimi.

Në një postim në Twitter, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, konfirmoi se ka pasur një "shpërthim të vogël pranë kompleksit të ambasadës amerikane në Podgoricë".​

Vendi ku ka ndodhur sulmi.
Vendi ku ka ndodhur sulmi.

Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj.

Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në Podgoricë dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.

Ajo i anuloi të gjitha shërbimet e parapara për ditën e sotme.

Qeveria e Malit të Zi tha se e dënon fuqishëm sulmin, ndërsa ministri i Brendshëm malazez, Mevludin Nuhoxhiq, dhe drejtori i Policisë, Sllavko Stojanoviq, vizituan sot vendin e ngjarjes dhe ambasadën amerikane.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, tha se dhuna nuk është diçka që mund të falet, porse BE-ja pret rezultatet e hetimeve që po bëjnë autoritetet malazeze.

Fotografitë e postuara në atë që supozohet të jetë profili i të dyshuarit në Facebook, përfshijnë një çmim që Jaukoviq ka fituar për shërbimin në ushtrinë jugosllave në vitin 1999, i cili duket se është nënshkruar nga Sllobodan Millosheviq. Konfirmim zyrtar për të kaluarën e tij ushtarake apo për çmimin nuk ka ende.

Fotografia e profilit të Jaukoviqit në një llogari në mediat sociale.
Fotografia e profilit të Jaukoviqit në një llogari në mediat sociale.

Jaukoviq, në një postim në Facebook në maj të vitit 2017, ka shkruar "Jo NATO-s".

Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro-rusë atje dhe gjetkë në Ballkan.

Incidenti në Podgoricë ndodhi saktësisht dhjetë vjet pasi demonstruesit sulmuan dhe dogjën ambasadën amerikane në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG