Ndërlidhjet

OKB: Irani po respekton marrëveshjen bërthamore


Flamuri i Agjencisë së OKB-së për Energji Atomike
Flamuri i Agjencisë së OKB-së për Energji Atomike

Irani po respekton marrëveshjen bërthamore të arritur më 2015 me gjashtë fuqitë botërore, ka thënë agjencia e Kombeve të Bashkuara.

Kështu thuhet në raportin e parë tremujor të Agjencisë për Energji Atomike (IAEA), të cilin e kanë parë mediat në SHBA. Aty thuhet se Teherani zyrtar është duke përmbushur kërkesat kryesore të marrëveshjes.

Ky raport vjen katër muaj para afatit të vënë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për Kongresin dhe aleatët evropianë që të rregullojnë, atë që ai i ka quajtur “të metat katastrofike” në marrëveshje, ose do të përballen me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje.

Trump dhe zyrtarët e tjerë amerikanë kanë thënë se Teherani po shkelë “shpirtin” e marrëveshjes dhe se po përdorë programin e tij të raketave balistike për t’i shmangur kufizimet bërthamore.

Irani hedh poshtë këto pretendime dhe insiston se po i përmbahet marrëveshjes, duke thënë se programi i tij bërthamor është rreptësisht për qëllime të gjenerimit të energjisë.

Presidenti Trump gjithashtu ka shprehur shqetësime se disa pika të marrëveshjes, që janë nënshkruar nga paraardhësi i tij, do të skadojnë më 2026.

Marrëveshja bërthamore e nënshkruar ndërmjet Iranit dhe SHBA-së, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë, vendos kufizime mbi programin bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndaj shtetit.

Raportet e agjencisë së OKB-së vazhdimisht kanë thënë se Irani po i përmbahet marrëveshjes, e cila ka hyrë në fuqi që dy vjet.

XS
SM
MD
LG