Ndërlidhjet

Thaçi: Mosratifikimi i Demarkacionit, izolim për qytetarët


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar edhe njëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës, që në seancën plenare, që është paraparë të mbahet nesër, të votojnë ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Thaçi ka thënë se dita e nesërme është e veçantë, pasi Kosovën do ta vizitojë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke shtuar se BE-ja pret nga Kosova që të përmbush kushtet për liberalizim të vizave.

“Për herë të parë, shtetin tonë e viziton Presidenti i Komisionit Evropian me delegacion të nivelit më të lartë. Ata nga ne presin votimin e demarkacionit për të konfirmuar publikisht zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave nga institucionet e Kosovës”, ka shtuar Thaçi në Facebook.

Presidenti i Kosovës vlerëson se lëvizja e lirë e qytetarëve është imediate. Andaj, ai ka thënë se mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit, që është një prej kushteve të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, do të konfirmonte izolimin e qytetarëve të Kosovës.

"Besoj në përgjegjësinë e deputetëve se nesër do të mendojnë e votojnë në shërbim të qytetarëve dhe asnjë prej tyre nuk do të futet në agjenda joevropiane”.

“Shtyrja eventuale apo mosvotimi pro ratifikimit nesër, nënkupton konfirmim të izolimit të qytetarëve të Kosovës nga të zgjedhurit e saj, në ditën më të rëndësishme të vizitës nga Presidenti i Komisionit Evropian", ka shkruar Thaçi.

Pas dy tentimeve për të ratifikuar Marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, Kuvendi i Kosovës, pritet që të mërkuren të mbajë seancë plenare për këtë çështje. Njëherësh, në Kosovë do të qëndrojnë zyrtarë të lartë të BE-së.

XS
SM
MD
LG