Ndërlidhjet

Protesta në Shkup në mbrojtje të emrit të Maqedonisë


Shkup, 27 shkurt, 2018.

Disa mijëra qytetarë maqedonas kanë protestuar në Shkup për, siç kanë thënë, mbrojtjen e identitetit dhe emrin e shtetit të Maqedonisë.

Protesta ka filluar para misionit të Bashkimit Evropian dhe ka përfunduar para Kuvendit të Maqedonisë.

Demonstruesit gjatë gjithë kohës kanë brohoritur parulla "Maqedonia, Maqedonia" dhe kanë kënduar këngë patriotike, ndërsa kanë djegur flamurin e Greqisë - vendit me të cilin Qeveria e Maqedonisë po bisedon për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Protestuesit kanë kërkuar ndërprerjen e këtyre bisedimeve, por kanë pasur edhe kërkesa të tjera, si tërheqjen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, tërheqjen e Marrëveshjes me Bullgarinë dhe lirimin e të burgosurve të arrestuar për dhunën në Kuvend më 27 prill.

Kërkesat, siç kanë thënë ata, do t'i dorëzohen presidentit, parlamentit dhe qeverisë dhe të gjitha ambasadave të huaja në Maqedoni.

Sipas tyre, nëse Qeveria nuk i pranon kërkesat, atëherë do të kërkojnë shpërbërjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Protesta shënon përvjetorin e lëvizjes "Për Maqedoninë", e cila, vitin e kaluar, ka protestuar për disa muaj kundër asaj që njihet si “Platforma e Tiranës” apo marrëveshjes së partive politike për zgjidhjen e çështjeve të hapura, e që ishte arritur në Tiranë me mbështetjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Disa nga udhëheqësit dhe mbështetësit e lëvizjes gjithashtu kanë marrë pjesë në dhunën në Parlamentin e Maqedonisë, më 27 prill të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG