Ndërlidhjet

Zaev nuk do të ndryshojë Kushtetutën për zgjidhjen e kontestit të emrit


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se Maqedonia dhe Greqia po i afrohen zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar rreth emrit.

Në një intervistë për gazetën britanike “Financial Times”, Zaev shfaqi shpresën që kjo çështje të zgjidhet para Samitit të NATO-s, që do të mbahet në muajin korrik në Bruksel, ku Shkupi pret edhe ftesën për anëtarësim në aleancë.

“Jam optimist. Është vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Mirëpo, do të ishte mirë për të dyja palët që të gjejmë një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Zaev.

Ai tha se për zgjidhje nuk është e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë, gjë në të cilën këmbëngul pala greke si garanci për marrëveshjen eventuale.

“Tani është kërkesë e re e Greqisë që të bëjmë ndryshime në Kushtetutën tonë. Por, Kushtetua është vetëm një libër me rregulla vendorë dhe nuk ka implikime jashtë vendit”, tha Zaev.

Greqia refuzon ta njohë Maqedoninë me këtë emër, duke thënë se një gjë e tillë sugjeron se Shkupi ka pretendime territoriale ndaj një rajoni verior të Greqisë, i cili po ashtu quhet Maqedoni.

Bisedimet për zgjidhjen e kontestit janë intensifikuar muajve të fundit.

XS
SM
MD
LG