Ndërlidhjet

Ministri i Jashtëm francez deklarohet kundër programit raketor të Iranit


Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, foto nga arkivi
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, foto nga arkivi

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka deklaruar se Irani duhet të adresojë shqetësimet për programin e raketave balistike, në të kundërtën rrezikon të përballet me sanksione të reja.

Ai i ka bërë këto komente pak kohë para vizitës së tij në Teheran, të planifikuar për 5 mars.

“Ato janë programe të raketave balistike të cilat kanë kapacitet të arrijnë disa mijëra kilometra dhe nuk janë në përputhshmëri me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, por edhe tejkalojnë nevojën e mbrojtjes së kufijëve të Iranit”, ka thënë Le Drian për gazetën, Journal du Dimanche.

“Nëse nuk do të merren masa, shteti rrezikon sanksione të reja”, ka shtuar ai.

Zyrtarët iranianë vazhdimisht kanë përsëritur faktin se programi i raketave të shtetit është aty për qëllime të mbrojtjes dhe nuk është i negociueshëm.

Le Drian ka thënë muajin e kaluar se programi i raketave të Iranit dhe përfshirja në konflikte rajonale duhet të zgjidhjen nëse shteti “dëshiron të kthehet në familjen e kombeve”.

Deklarata e tij është kritikuar më 3 mars nga Ali Akbar Velayati, këshilltar për politikë të Jashtme i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

“Programi i mbrojtjes i Iranit nuk është shqetësim për shtetet si Franca, të cilat mund të vijnë e të na tregojnë se çfarë raketa mund të kemi ne. A i tregojmë ne Francës si duhet ta mbrojë veten?”, i ka thënë Velayati, agjencisë së lajmeve ISNA.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, ka thënë sot, se gjatë vizitës së tij dy-ditore në Teheran, Le Diran pritet të takohet me presidentin Hassan Rohani dhe ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, për të diskutuar “çështjet bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare”.

Ata pritet të diskutojnë edhe zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore.

Mediat iraniane kanë raportuar se udhëtimi i Le Drian do të rregullojë terenin për një vizitë të presidentit francez, Emmanuel Macron në Iran.

XS
SM
MD
LG