Ndërlidhjet

Rasti Skripal: 21 veta janë trajtuar pasi i janë ekspozuar agjentit nervor


Sallsbëri, Britani

Policia britanike tha se së paku 21 njerëz, përfshirë zytarë, janë trajtuar në spital pasi i janë ekspozuar agjentit nervor, të përdorur për të sulmuar ish-spiunin rus, Sergei Skripal, dhe vajzën e tij në qytetin Sallsbëri.

Tri nga viktimat mbeten në spital: Skripal, vajza e tij Yulia dhe polici Nick Bailey, i cili i është përgjigjur i pari incidentit.

Dy të parët mbeten në gjendje kritike për jetën, edhe pesë ditë pas sulmit.

Polici Bailey është zgjuar dhe flet, por gjendja e tij mbetet serioze, tha sekretarja për punë të brendshme e Britanisë, Amber Rudd.

Autoritetet nuk kanë shpjeguar se si të tjerët i janë ekspozuar substancës helmuese.

Zyrtari i lartë mjekësor i Britanisë, Sally Davies, tha se publiku i gjerë nuk është domosdoshmërisht në rrezik të lartë, por ekspertët tërheqin vërejtjen se agjentët nervorë janë jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Një zëdhënës i kryeministres britanike, Theresa May, tha se helmimi ishte një "krim i tmerrshëm".

XS
SM
MD
LG