Ndërlidhjet

May: Ka shumë gjasa që Rusia qëndron prapa sulmit me agjent nervor


Kryeministrja e Britanisë, Theresa May

Kryeministrja e Britnisë, Theresa May ka thënë se të dhënat tregojnë se “ka shumë gjasa” që Rusia qëndron pas sulmit me agjent nervor, ndaj ish-spiunit rus dhe vajzës së tij, edhe pse Kremlini ka mohuar përfshirjen e Moskës në këtë incident.

Kryeministrja May, gjatë fjalimit në Parlament, ka thënë se ose shteti rus ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në helmimin e 66-vjeçarit, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në qytetin Salisbury, ose ka lejuar që agjenti nervor të bie në duart e të tjerëve, të cilët kanë kryer sulmin.

Nëse dëshmohet se Moska qëndron pas këtij helmimi, May ka thënë se Qeveria e saj do të konsiderojë këtë si “përdorim të paligjshëm të forcës” nga Rusia.

Duke pasur parasysh historinë e “Rusisë në kryerjen e vrasjeve të sponsorizuara nga shteti dhe vlerësimin tonë se Rusia i sheh disa nga defektorët si caqe legjitime për vrasje, Qeveria ka ardhur në përfundim se ka shumë gjasa që Rusia është përgjegjëse për sulmin ndaj Sergei dhe Yulia Skripal”, u ka thënë May ligjvënësve, pas takimit të Këshillit për Siguri Kombëtare.

“Ne nuk do të tolerojmë përpjekje të tilla për të vrarë civilë të pafajshëm në tokën tonë”, ka shtuar ajo.

Ajo ka shtuar se ambasadori rus në Britani është ftuar në takim për të sqaruar se si agjenti nervor është përdorur ndaj ish-spiunit rus dhe i ka dhënë afat deri më 13 mars që të japë një përgjigje të besueshme.

Zyrtarët kanë thënë se ish-spiuni rus dhe e bija e tij janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në një spital në Salisbury, pasi i janë eskpozuar një agjenti nervor më 4 mars.

Ministria e Jashtme e Rusisë menjëherë ka reaguar ndaj fjalimit të May dhe përmes një deklarate ka thënë se akuzat e tilla janë të motivuara politikisht dhe bazohen në provokim.

“Në Parlamentin britanik është një shfaqje e cirkut”, citoi agjencia e lajmeve TASS zëdhënësen e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.

Edhe para komenteve të May, Kremlini ka mohuar përfshirjen në këtë incident.

Presdenti rus, Vladimir Putin, ka folur vetëm disa orë para se May të mbante fjalim në Parlament. Ai ka thënë se zyrtarët në Britani duhet të zbulojnë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në Salisbury, përpara se të fajësojnë Rusinë për incidentin.

“Shkoni në fund gjërave dhe pas kësaj, ne mund të bisedojmë”, i ka thënë ai një gazetari të BBC-së, teksa i është përgjigjur një pyetjeje lidhur me sulmin ndaj ish-spiunit Skripal.

XS
SM
MD
LG