Ndërlidhjet

Dhomat e Specializuara publikojnë listat e mbrojtësve


Dhomat e Specializuara të Kosovës, përmes një komunikate për medie kanë njoftuar se sot kanë publikuar listat e mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit.

“Listat përmbajnë emrat e 40 juristëve që janë pranuar në listat e mbrojtësve dhe tashmë mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Me këtë rast, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova,ka përgëzuar të gjithë avokatët që tashmë janë pranuar në listat e mbrojtësve.

“Kushtet e rrepta për pranim në listat e mbrojtësve sigurojnë përfaqësim të efektshëm dhe profesional ligjor përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës për të akuzuarit dhe viktimat, duke dhënë kështu një kontribut të mëtejmë për integritetin e administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara”, ka thënë Trendafilova.

Në komunikatë gjithashtu është thënë se emrat e të gjithë mbrojtësve të pranuar deri më sot gjenden në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe se listat e mbrojtësve do të përditësohen në vijimësi, pas pranimit të kandidatëve tjerë, për shkak se procesi mbetet i hapur.

XS
SM
MD
LG