Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Putin viziton Krimenë disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Rusi


Presidenti rus, Vladimir Putin gjatë vizitës së tij sot në Krime.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka arritur në Krime më 14 mars, katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Rusi.

Ai pritet të jetë pjesë e disa organizimeve për të shënuar përvjetorin e katërt të mbajtjes së referendumit në Krime, i cili është përdorur nga Moska vetëm si justifikim për të aneksuar rajonin e Ukrainës.

Para se të arrinte në Krime, Putin ka vizituar punimet në ndërtimet e urës, që pritet të lidhë Gadishullin e aneksuar me disa territore ruse.

Punimet për ndërtimin e kësaj ure patën nisur më 2016.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më herët se vizita e Putinit në Krime do të jetë ngjarja kryesore në fushatën e tij para votimeve të 18 marsit.

Duke reaguar në vizitën e Putinit, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ka thënë se ky hap ka qenë “provokim jashtëzakonisht i rrezikshëm”, dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione kundër, “atyre që zhvillojnë takime për fushatën zgjedhore të Rusisë në territorin ukrainas”.

Qeveria e Putinit ka aneksuar Krimenë në mars të vitit 2014, pasi miku i Moskës, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovych, është larguar nga shteti pas protestave në rrugë, në të cilat kërkohej qeveri pro-Perëndimore.

XS
SM
MD
LG