Ndërlidhjet

Vrasja e gazetares malteze: Dëshmitarja “në rrezik për jetën”


Daphne Caruana Galizia

Një informatore ruse, e lidhur me gazetaren e vrarë të Maltës, Daphne Caruana Galizia, i është dorëzuar policisë në Greqi, duke thënë se ka frikë për jetën e saj.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë lëshuar një deklaratë të martën, duke iu bërë thirrje autoriteteve në Athinë që t’i sigurojnë mbrojtje Maria Yefimovas.

Një urdhërarrest evropian për Yefimovan është lëshuar në nëntor, pasi ajo është akuzuar për dhënie të informacioneve të rëndësishme gazetares Caruana Galizia, e cila më pas ka shkruar një raport për lidhje të mundshme të paligjshme midis qeverive të Maltës dhe Azerbajxhanit.

Yefimova raportohet se i ka thënë Caruana Galizias se ajo ka parë dokumente që sugjerojnë se një milion euro nga familja e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kanë arritur në llogarinë e Michelle Muscat, gruas së kryeministrit të Maltës.

Joseph Muscat dhe gruaja e tij i kanë hedhur poshtë akuzat se paratë janë transferuar nga familja e Aliyevit përmes firmës sekrete Egrant Inc në Panama.

Deklarata e Parlamentit Evropian e përshkruan Yefimovan si “dëshmitare të rëndësishme për hetimet për korrupsion dhe shpëlarje parash në Maltë”.

Ajo ka ikur nga Malta vitin e kaluar, duke thënë se druhet për jetën e saj dhe të familjes. Autoritetet në Maltë dhe Qipro kanë lëshuar urdhërarreste për të, por për arsye të ndryshme.

Urdhri maltez bazohet në një akuzë të ngritur nga banka Pilatus në Maltë, e cila thotë se ajo ka vjedhur nga banka, ku edhe ka punuar më herët. Yefimova i mohon akuzat.

Urdhërarresti qipriot bazohet në pretendime të ngjashme për përvetësim nga një kompani në Qipro, ku ajo ka punuar përpara se të zhvendosej në Maltë. Yefimova i hedh poshtë edhe këto akuza.

Greqia duhet të vendosë nëse do ta ekstradojë Yefimovan në ndonjërin prej këtyre vendeve.

Stelios Kouloglou, anëtar grek i Parlamentit Evropian, ka thënë se “ekstradimi i saj i mundshëm në Maltë do ta rrezikonte seriozisht jetën e saj".

“Urdhërarresti kundër Maria Yefimovas bazohet në akuza qesharake nga autoritetet e Maltës", ka thënë ai.

Kouloglou ka thënë se po e ndihmon Yefimovan me një kërkesë për qëndrim në Greqi.

Ana Gomes, anëtare portugeze e Parlamentit Evropian, ka kërkuar nga shtetet e BE-së që t’i japin Yefimovas azil ose mbrojtje ndërkombëtare, pasi “ajo është në rrezik serioz”.

Caruana Galizia është vrarë nga bomba e vendosur në makinën e saj në tetor të vitit 2017. Tre burra janë akuzuar për vrasjen e saj, por organizatori i sulmit besohet të jetë ende i lirë.

Përgatiti: Valona Tela

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG