Ndërlidhjet

Obama: Koreja Veriore përbën kërcënim serioz


Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, foto nga arkivi
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, foto nga arkivi

Koreja Veriore përbën “kërcënim real”, zgjidhja e të cilit do të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar, ka thënë të dielën ish-presidenti amerikan, Barack Obama në një vizitë në Japoni, transmeton AFP.

Obama po ashtu ka thënë se SHBA-ja duhet të sigurohet se ka një sistem për të mbrojtur shtetet në rajon nga ndonjë sulm potencial me raketa nga Koreja Veriore.

“Koreja Veriore është kërcënim real” dhe ka zhvilluar progam të armëve që “përbën kërcënim serioz jo vetëm në rajon por në gjithë botën”, ka thënë Obama në një fjalim në Tokio.

“Deri tani është e qartë që nuk kemi arritur zhvillimin që kemi kërkuar. Mirëpo është shumë e rëndësishme të kuptojmë se individualisht, asnjë shtet nuk mund ta zgjidhë këtë problem më mirë se kur jemi të bashkuar”, ka theksuar ai.

Sipas Obamas, Koreja Veriore ka qenë “shtet i larguar nga të gjitha normat ndërkombëtare dhe aq larg botës” sa që ka qenë e vëshirë që të bëhet presion në regjimin e izoluar.

Nën administratën e Obamas, Uashingtoni ka zbatuar politikën e “durimit strategjik” kundrejt Koresë Veriore duke shpresuar se sanksionet do të detyronin Phenianin për të hequr dorë nga ambiciet e armëve bërthamore.

I pyetur në fund të fjalimit të tij se çfarë i mungon më së shumti nga posti i presidentit Obama ka thënë se “ndonjëherë më mungon aeroplani presidencial Air Force One.

“Është aeroplan i mirë, sidomos kur udhëtoni mbi Oqeanin Paqësor”, ka thënë Obama.

Mirëpo ai ka thënë se ka blerë perime kur ka jetuar në Shtëpinë e Bardhë.

“Ju mendoni se i keni të gjitha aty. Mirëpo jo, ju tregoj unë, është jetë e shtrejtë në Shtëpinë e Bardhë,” ka thënë ndër të tjera ish-presidenti Obama.

XS
SM
MD
LG