Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Rusia “synoi ta ndajë” Perëndimin


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

Helmimi i një ish-spiuni rus në Britani është pjesë e strategjisë së Kremlinit për të ndarë Perëndimin, duke kryer operacione të fshehta dhe pastaj duke nxitur dyshime dhe mosmarrëveshje rreth asaj se kush është përgjegjës, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

Një ditë pasi dhjetëra qeveri në gjithë botën njoftuan për dëbimin e 144 diplomatëve rusë për shkak të helmimit, Mattis tha se mohimi i përgjegjësisë nga ana e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për “tentim-vrasjen” e Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, në Sallsbëri të Anglisë, nuk mund të merret seriozisht.

Mattis tha se incidenti në Sallsbëri ka përfshirë përdorimin e qartë të një “arme të shkatërrimit në masë”, të cilën Qeveria britanike e ka identifikuar si agjenti nervor Novichok, i prodhuar në Rusi gjatë Luftës së Ftohtë.

Sipas zyrtarit amerikan, strategjia e Rusisë ka nisur të shihet qysh në vitin 2014 në Ukrainë, kur Moska ka dërguar njerëz të armatosur në Krime pa shenja identifikimi.

Rusia, shtoi Mattis, ka vazhduar më pas me përpjekjet e fshehta për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

“Ajo i heq shenjat e uniformave të ushtarëve dhe hyn në Krime. Ajo thotë se nuk ka të bëjë asgjë me separatistët në lindje të Ukrainës”, tha Mattis, duke iu referuar Rusisë.

“Nuk jam i sigurt se si mund ta thonë këtë pa i ndryshuar shprehjet në fytyrë, por bëjnë gjëra që besojnë se mund t’i mohojnë”, tha Mattis.

Helmet që rrëzojnë kritikët e Kremlinit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:08:00 0:00

NATO iu bashkua dhjetëra qeverive që kanë dëbuar diplomatët rusë nga ambasadat dhe misionet e tyre.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dëbimet do t’i dërgojnë mesazh Rusisë se ka “kosto dhe pasoja për sjelljen e papranueshme”.

Udhëheqësit britanikë thanë se dëbimi i diplomatëve rusë “është një pikë e mundshme kthese”, ndërsa Rusia tha se e gjithë kjo është rezultat i presionit “kolosal” nga Shtetet e Bashkuara dhe u zotua se do të përgjigjet.

Stoltenberg tha se NATO do të mbetet “e hapur për dialog me Rusinë”, ndërsa Mattis tha se Rusia “ka ende potencial që të jetë partner me Evropën”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG