Ndërlidhjet

Kosova do t'i sqarojë arsyet e deklaratave të Erdoganit


Flamuri i Kosovës, foto ilustrim

Shefi i kabinetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj ka thënë se në ditët në vazhdim, përmes kanaleve diplomatike, do të sqarohen deklaratat e bëra nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kundrejt kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidenti Erdogan ka kërcënuar kryeministrin Haradinaj, pas qëndrimeve të këtij të fundit, i cili është deklaruar kundër deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

“Nëpërmjet kanaleve diplomatike në ditët në vijim do të sqarojmë arsyet e deklaratave të bëra nga presidenti Erdogan, në pajtim me marrëdheniet e mira që kemi si dy shtete dhe të parimeve të barazisë së shteteve sovrane dhe mospërzierjes në punët e brendshme”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

Zyberaj ka shtuar se Kosova ka institucionet e veta, që udhëhiqen nga të zgjedhurit e popullit.

Të enjten në Kosovë janë arrestuar dhe më pas deportuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Pesë prej të dëbuarve ishin punonjës në shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë, ndërkaq i dëbuari tjetër ishte mjek turk.

Krerët institucionalë në Kosovë kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni të këtij operacioni. Për këtë fakt, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi.

Erdogan ka thënë se Haradinaj “do të paguajë” për këto qëndrime, duke thënë se që kur kryeministri i Kosovës “mbron ata që punojnë për të bërë grusht shtet ndaj Republikës Turke”.

XS
SM
MD
LG