Ndërlidhjet

Gjykata në Tiranë merr vendim për protestuesit në Kalimash


Protestuesit kanë shkatërruar kabinat e pagesës në Rrugën e Kombit në Kalimash
Protestuesit kanë shkatërruar kabinat e pagesës në Rrugën e Kombit në Kalimash

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për mbajtje në burg të 11 nga 23 personat e arrestuar, pjesëmarrës në protestat në Rrugën e Kombit, ku u është vënë zjarri sporteleve të pagesës së tarifës prej 5 eurosh për makina.

Për të arrestuarit e tjerë është vendosur detyrim paraqitjeje dhe arrest-shtëpiak.

Policia e Shqipërisë ka marrë masa të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen normale të seancës të së mërkurës, duke bllokuar tërësisht rrugët, derisa dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të opozitës janë mbledhur përballë Gjykatës, në anën tjetër të lumit Lana, duke kërkuar lirimin e të burgosurve.

Gjykimi u mbajt me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave dhe brenda në sallë ishin vetëm familjarët e të arrestuarve dhe disa deputetë të partive opozitare.

Opozita e bashkuar shqiptare ka kaluar në mosbindje civile, duke thirrur protesta për të enjten. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të bllokojnë rrugët dhe të mos e paguajnë taksën rrugore prej 5 eurosh.

Ata kundërshtuan arrestimet dhe gjykimin e protestuesve.

Opozita gjithashtu ka paralajmëruar protesta derisa kjo taksë të largohet, por edhe ka thënë se nuk ka tërheqje deri në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Të shtunën, qindra protestues janë përplasur me Policinë e Shqipërisë pranë sporteleve ku duhet të bëhet pagesa për taksën rrugore në Rrugën e Kombit në Kalimash dhe kanë shkatërruar tërësisht pikën e ndalesës ku duhet bërë pagesa. Ata, një ditë më vonë, janë arrestuar nga policia për shkatërrim të pronës publike.

XS
SM
MD
LG