Ndërlidhjet

SHBA: Në sulmin në Siri është përdorur "agjent nervor"


Pamje pas sulmeve në Siri.
Pamje pas sulmeve në Siri.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka dënuar të hënën sulmin e supozuar me armë kimike në zonën e kontrolluar nga rebelët në Siri, duke thënë se mund të vendosë për një përgjigje ndaj këtij sulmi në 24 apo 48 orët vijuese.

Duke folur në një takim me kabinetin e tij, Trump ka deklaruar se është duke biseduar me liderët ushtarakë për të kuptuar se kush ka qenë përgjegjës për sulmin, Rusia, qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assad, Irani, apo të gjithë së bashku.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ka mundësi që sulmi i 7 prillit në Siri të ketë qenë sulm kimik.

Sipas të dhënave ka mundësi që substanca të ketë qenë “agjent asfiksues” apo “agjent nervor i ndonjë lloji të ngjashëm”.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ende nuk ka vërtetuar saktësisht se çfarë lloji i agjentit është përdorur në sulm, duke shtuar se Rusia, Irani dhe qeveria siriane janë duke kundërshtuar qasjen ndërkombëtare në qytet për të zhvilluar hetime.

Qeveria siriane dhe aleatja e saj Rusia kanë kundërshtuar përfshirjen në këtë sulm.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis ka thënë se ai nuk e përjashton aksionin ushtarak nëse vërtetohet se i kujt ka qenë faji.

“Nuk e përjashtoj asnjë mundësi tani”, u ka thënë ai gazetarëve në Uashington.

Mattis ka akuzuar Rusinë për mospërmbushje të obligimeve për të siguruar se Siria ka braktisur kapacitetet e saj të armëve kimike.

Një grup mjekësor sirian ka thënë se të paktën 60 persona janë vrarë dhe më shumë se 1,000 të tjerë janë plagosur në disa zona të Dumas.

XS
SM
MD
LG