Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Facebook në “garë armësh” me Rusinë


Mark Zuckerberg

Shefi ekzekutiv i Faccebook-ut, Mark Zuckerberg, tha përpara Senatit amerikan se kompania e tij është në luftë të vazhdueshme me operatorët rusë që përpiqen të keqpërdorin rrjetin social.

"Kjo është një garë armësh, ata do të vazhdojnë të përmirësohen", tha Zuckerberg, duke shtuar se “është e rëndësishme të investohet në kapacitetet e Facebook-ut”.

Zuckerberg i bëri këto komente në dëshminë e tij, pas mbledhjes së të dhënave të miliona përdoruesve të Facebook-ut nga kompania e marketingut Cambridge Analytica.

Zuckerberg po ashtu zbuloi se Robert Mueller, këshilltari i posaçëm amerikan, që po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, ka intervistuar stafin e Facebook-ut.

Ai tha se nuk ka qenë në mesin e të intervistuarve nga zyra e Muellerit.

Zuckerberg shtoi se puna e stafit të tij me këshilltarin e posaçëm është sekrete dhe se nuk dëshiron të zbulojë diçka të fshehtë në një sesion të hapur.

Në muajin shkurt, Mueller ka akuzuar 13 rusë dhe tri kompani ruse për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA duke shpërndarë informacione kundërthënëse në mediat sociale.

I pyetur për rolin e Facebook-ut në akuzat kundër Rusisë, Zuckerberg tha se kompania e tij është duke zhvilluar mjete të reja për të identifikuar llogaritë e rreme.

“Ka njerëz në Rusi, puna e të cilëve është të përpiqen t’i keqpërdorin sistemet tona dhe sistemet tjera po ashtu”, tha Zuckerberg.

Ai pranoi se Facebook nuk ka bërë mjaftueshëm për të trajtuar “lajmet e rreme, ndërhyrjen e huaj në zgjedhje dhe gjuhën e urrejtjes”.

“Një nga keqardhjet e mia më të mëdha në udhëheqjen e kompanisë është fakti që kemi qenë shumë të ngadalshëm në identifikimin e operacioneve ruse në vitin 2016”, tha Zuckerberg.

Ai shtoi se kompania e tij planifikon që, deri në fund të vitit, të ketë mbi 20,000 pjesëtarë të stafit që punojnë për sigurinë dhe rishikimin e përmbajtjes.

Facebook "007"
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:08:31 0:00

Shefi i Facebook-ut u paraqit në një sesion të përbashkët të disa komiteteve të Senatit amerikan, pasi, javëve të fundit, është zbuluar se Cambridge Analytica ka pasur qasje në informacionet e profilit të rreth 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut.

Cambridge Analytica është e njohur për lidhjet e saj me fushatën e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe pretendon se ka luajtur “një pjesë integrale” në fitoren e Trumpit.

Por, kompania thotë se asnjë nga të dhënat e përfshira në skandalin e fundit nuk janë përdorur për të ndihmuar fushatën e Trumpit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG