Ndërlidhjet

Në Gjermani kapen tre sirianë të dyshuar për terrorizëm


Gjermani - foto arkivi

Policia speciale e Gjermanisë arrestoi tre të rinj sirianë, nën dyshimet se i përkasin një organizate terroriste, bënë të ditur prokurorët në qytetin Koblenc.

Të dyshuarit, 21, 23 dhe 27 vjeç, u kapën në afërsi të qytetit Sarlouis, në kufi me Francën, thanë prokurorët.

Njësia speciale konfiskoi telefona celularë dhe laptopë.

Hetimet ndaj tyre, që të gjithë banorë të Sarlouisit, kanë nisur në tetor të vitit të kaluar, edhe pse në atë fazë nuk ka pasur dëshmi të qarta për planifikim të sulmeve në Gjermani apo në vende të tjera.

Sipas hetuesve, i dyshuari 23-vjeçar ka bërë përpjekje të rekrutojë luftëtarë për luftën në Siri, përmes internetit.

Ai thuhet se ka qenë aktiv për lëvizjen islamike Ahrar al-Sham, e cila është e ndaluar në Gjermani.

Dy të tjerët dyshohet se kanë qenë anëtarë të grupit militant Shteti Islamik, derisa kanë qenë në Siri.

Të tre ata kanë hyrë në Gjermani gjatë valës masive të migrantëve në vitin 2015.

XS
SM
MD
LG