Ndërlidhjet

Zarif i cilëson "të papranueshme" kërkesat e SHBA-së për paktin bërthamor


Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, foto nga arkivi.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, foto nga arkivi.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif ka thënë se janë të papranueshme kërkesat e presidentit amerikan, Donald Trump për të ndryshuar marrëveshjen bërthamore që ka Teherani me fuqitë botërore.

Zarif i ka bërë këto deklarata më 28 prill në Moskë, pasi është pjesëmarrës në bisedimet për konfliktin në Siri.

Trump ka kërcënuar për tërheqje të SHBA-së nga pakti bërthamor nëse aleatët evropianë nuk i përmirësojnë “të metat e tmerrshme” të marrëveshjes deri më 12 maj.

Sipas marrëveshjes, Teheranit i premtohet largim nga lista e sanksioneve pasi të ndalojë programin bërthamor.

Presidenti Trump ka deklaruar se kushtet aktuale nuk janë mjaftueshëm të ashpra.

Gjermania, Franca, Rusia, Kina dhe Britania janë nënshkruese të marrëveshjes dhe të njëjtat i kanë bërë thirrje Uashingtonit të qëndrojë brenda paktit, në mënyrë që të parandalohen aktivitetet bërthamore të Iranit.

Më 27 prill, Trump ka premtuar se Irani nuk do të shtojë arsenalin bërthamor, mirëpo ka kundërshtuar të tregojë se me çfarë masash mund të ndodhë një gjë e tillë nëse dështon marrëveshja.

“Nuk dua të flas nëse do të përdor apo jo forcën ushtarake”, ka thënë Trump gjatë një konference për media bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Merkel në anën tjetër ka thënë se marrëveshja ka qenë “hapi i parë” që ka kontribuuar për të ulur aktivitetet bërthamore të Teheranit.

XS
SM
MD
LG