Ndërlidhjet

Trump: Rrjedhja e pyetjeve të Muellerit është e turpshme


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se "është e turpshme" që lista e pyetjeve, që këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, dëshiron t'ia shtrojë atij, ka "rrjedhur" në media.

Mueller po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.

Gazeta New York Times publikoi të hënën vonë dhjetëra pyetje që u janë dhënë avokatëve të Trumpit. Pyetjet, mes tjerash, kanë të bëjnë me motivet e Trumpit për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, në maj të vitit të kaluar, dhe me kontaktet e fushatës së Trumpit me zyrtarët rusë.

"Është e turpshme që pyetjet në lidhje me 'gjuetinë e shtrigave për Rusinë' kanë rrjedhur në media", tha Trump në një postim në Twitter.

Ai po ashtu përsëriti se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë.

Mueller ka ngritur disa akuza kundër ish-kryetarit të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, por asnjëra prej tyre nuk lidhet me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA.

Manafort po ashtu ka mohuar se ka pasur të bëjë me përpjekje të tilla.

XS
SM
MD
LG